Gashi: Mrekullia ka ndodhur, kemi kthyer borxhet

Superliga 10 Gusht 2018 17:18

Kryetari i Klubit të Basketbollit Peja Art Gashi, ka deklaruar për Insportin se klubi i tij ka bërë pagesat e nevojshme dhe ka shlyer borxhet në atë masë sa ti hiqet bllokada e transferimit të lojtarëve këtij klubi.

Gashi ka thënë për Insportin se “borxhet kanë qenë dhe vazhdojnë te jenë shumë të larta dhe ne mendojmë se janë pjesërisht të padrejta. Sidoqoftë, kemi hasur në mirëkuptim të njerëzve të FIBA-s, por edhe të agjentëve dhe lojtarëve dhe mund të them se tashmë kemi mbyllur lëndët që i kemi humbur në BAT me Nenad Delic (agjenti Zvonimir Ridl) dhe me Mario Austin e Chris Smith (agjenti Petar Arsic).

Insporti ka siguruar edhe dëshmi nga agjenti i Nenad Delicit, Zvonimir Ridl i cili ka konfirmuar se do të dërgojë në FIBA një letër ku konfirmon arritjen e marrëveshjes me klubin.

Insporti më herët kishte raportuar për borxhet e Pejës dhe bazuar në dokumentat e FIBA-s, borxhi për rastin Delic është 6,000 dollarë në emër të pagave të parealizuara dhe mbi 15 mijë Euro në provizion, interes dhe shpenzime të Arbitrazhit.

Gjithnjë sipas aktvendimeve të FIBA-s të publikuara paraprakisht, në rastin me agjentin Arsic, i cili ka përfaqësuar lojtarët Mario Austin dhe Chris Smith, borxhet ndaj lojtarëve, agjentit dhe shpenzimeve të procedurës arrijnë shumën mbi 70 mijë Eurove, nga të cilat mbi 40 mijë janë paga të parealizuara pas prishjes së kontratave.

Gashi ka pohuar se “e kemi njoftuar FIBA-n dhe për gjithçka dhe besojmë që shumë shpejt do të njoftojnë edhe FBK-në që ndalesa e transferim të lojtarëve është hequr dhe se borxhi ndaj FIBA-s dhe ndaj lojtarëve është shlyer pjesërisht dhe një pjesë është riprogramuar me marrëveshje”.

Deri më tani FIBA nuk ka njoftuar FBK-në zyrtarisht për zhvillimet e reja me KB Peja, kurse afati i regjistrimit të klubeve skadon sot.

Insporti po ashtu merr vesh se FBK do të mbajë një mbledhje të Bordit të hënën, pikërisht pasi të jenë vlerësura dokumentet dhe klubeve dhe situata financiare dhe atëherë pritet të qartësohet situata lidhur me klubvt që janë paraitur për gara këtë sezon dhe obligimet e tyre.