Beteja për pozitën e parë

Superliga 13 Prill 2018 16:53

Prishtina e Besa FamGas do të takohen të shtunën (nesër) prej orës 19:00 për të përcaktuar se cila prej këtyre dy skuadrave do të startojë nga pozita e parë në plejofin e Kampionatit të Kosovës në hendboll për meshkuj. Është kjo ndeshje e javës së 25-të të Superligës A dhe e fundit në kampionat të rregullt e dy skuadrave që vlerësohen favorite për titull. Besa FamGas është kampion aktual, ndërsa udhëheq në tabelë me 46 pikë. Humbjen e vetme ia ka shkaktuar Prishtina, e cila është e dyta me 44 pikë. Dy humbjet e vetme i ka nga Besa.

Dy skuadrat janë mobilizuar maksimalisht për derbin e madh. Pritet rivalitet, lojë e fortë dhe hendboll cilësor. Po ashtu pritet një paraqitje korrekte që do të jetë reklama më e mirë për hendbollin kosovar. Edhe dy ndeshjet tjera të javës së 25-të të Superligës A luhen të shtunën. Nga ora 18:30 takohen Drita e Vëllaznimi, kurse Kastrioti e Zhegra luajnë prej orës 19:00.

Të shtunën janë edhe dy ndeshjet e javës së 16-të në Superligën A të femrave. Prishtina e Shqiponja luajnë prej orës 15:00 kurse Vushtrria e Istogu prej orës 19:00.