Bosnja nuk i jep viza Kosovës – ja çka thuhet në Rregulloren e FIBA-s

Kombëtarja 08 Gusht 2018 18:22

Bosnja e Hercegovina ka shkaktuar skandal ndërkombëtar duke refuzuar të pajisë me viza anëtarët e delegacionit të Kosovës, që duhet të marrin pjesë në FIBA Kampionatin Evropian U16, Divizioni B.

Rreth këtyre zhvillimeve Insporti ka pasqyruar reagimet e federatës boshnjake dhe asaj kosovare, kurse në vazhdim ju pasqyrojmë se çka thuhet në Rregulloren e Garave të FIBA-s, të miratuar nga FIBA Evropa për këto raste.

Përndryshe FIBA veçse ka dërguar një letër me tone të ashpra në adresë të federatës boshnjake dhe pritet që kjo federatë të dënohet, ndërsa pa pjesëmarrjen e Kosovës nuk dihet edhe nëse do të zhvillohet kampionati.

Në rregulloren e Garave të FIBA-s, neni 4.4, ndër të tjera thuhet se “organizatorët duhet të sigurohen që të gjitha ekipet e kualifikuara, mund të marrin pjesë në garë dhe që vizat hyrëse janë lëshuar në kohën e duhur. Këto rregulla vlejnë edhe për ekipe të ftuara edhe për gara që nuk janë zyrtare.

Në rast të shkeljes së këtyre provizioneve, FIBA e tërheq patronatin ndaj garës dhe mund të shqiptojë edhe dënime ose të marrë masa ndaj organizatorëve”.

Një arsye shtesë për komplikimin e situatës, sipsa asaj që Insporti ka raportuar gjatë ditës është pikërisht shorti i këtij kampionati, që i ka bërë bashkë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën në ndeshjen e parë, që është në program nesër.