Diçka po ndodh, Reali e harron Modricin në rrjetet sociale (FOTO)

Futboll 10 Gusht 2018 08:55

Ku është Modric? Kjo është pyetja që kanë bërë tifozët e Interit pasi Real Madridi e harroi Lukan në rrjetet sociale.

Pikërisht në momentet kur tifozët zikaltër presin me drithërima njoftimet nga Madridi, Real ka përditësuar kopertinën në rrjetet sociale, ku shfaqen pesë futbollistë të jashtëzakonshëm që pozojnë me fanellën e bardhë.

Mes tyre mungon pikërisht ai, objektivi dhe dëshira e Interit, Luka Modric, futbollisti më i mirë në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Rusi.

Në vend të tij reklamohen Bale, Benzema, Sergio Ramos,Marcelo e Kroos, raporton AS, transmeton Insporti.

Natyrisht ky detaj nuk ka shpëtuar pa u konstatuar nga tifozët aq të kujdesshëm të Inter, që kanë sulmuar virtualisht Realin me hashtag #FreeModric.

Pas Zidane, Cristiano Ronaldo e Kovacic, Madrid mund të privohet edhe nga një tjetër futbollist yll. Një revolucion me të gjitha efektet, të paktën deri tani, në rrjetet sociale.

AS e Marca raportojnë se telenovela “Modric” mund të mbyllet gjatë ditës së sotme.

Luka dhe numri një i Realit, Florentino Perez, do të takohen sy më sy për të zbuluar se çfarë po ndodh në të vërtetë dhe për të zgjidhur këtë situatë të krijuar që disa ditë.

E vërteta është se “Luka nuk është i lumtur në “Santiago Bernabeu”, kështu tha Kovacic, pasi kompletoi transferimin në formë huazimi te Chelsea. /Insorti.com/