Durant: Këtë nuk do ta harroj kurrë

Basketboll 30 Maj 2018 21:49

Kampionët e Golden State do të mbrojnë titullin kampion në NBA, pas fitores 4-3 me ndeshje ndaj Houston, duke marrë titullin në Konferencën e Perëndimit. Por ky triumf ndaj skuadrës teksane ka qenë shumë i vështirë për basketbollistët e Warriors, që e panë veten në disavantazh 3-2 me ndeshje, por arritën të fitojnë dy takimet e fundit dhe të dalin në finalet e play off-it. Një nga protagonistët e këtij triumfi është Kevin Durant, që realizoi 34 pikë në ndeshjen e shtatë, duke u kthyer në lider për kampionët.

“Jam shumë i lumtur që do të luaj përsëri në finalet e NBA-së. Fakti që luajtëm dhe fituam ndeshjen e shtatë finale jashtë fushe është shumë i rëndësishëm, pasi tregon që grupi është mjaft i fortë, që është i aftë të realizojë gjëra të mëdha. Kanë qenë ndeshje të vështira, ndaj nuk kam për t’i harruar”, ka thënë Durant.