E pabesueshme, këto janë premitë e Prishtinës për fitore ndaj Dritës

Futboll 11 Maj 2018 20:02

 

Që kampionati i sivjetmë është më interesanti në periudhën e pasluftës është thënë vazhdimisht. Por, që kampioni të përcaktohet në javën e fundit dhe atë pikërisht në ndeshjen ndërmjet dy skuadrave që luftojnë për titull, nuk ka ndodhur asnjëherë në futbollin kosovar.

Kjo do të ndodhë në ndeshjen e javës së fundit, në të cilën Prishtina, në Pejë, është mikpritëse e Dritës. Aktualisht gjilanasit janë në pozitën e parë me tri pikë më tepër se kryeqytetasit. Prishtina, të vetmen mundësi për ta fituar titullin e ka nëse fiton me dy e më tepër gola dallim, ndërsa Dritës i konvenon fitorja me çdo rezultat, barazimi, madje edhe humbja me vetëm një gol dallim.

Për këtë arsye, te Prishtina janë mobilizuar në nivelin më të lartë të mundshëm dhe nuk ka se si të mungojnë edhe premitë shumë të majme. Madje, siç merr vesh Gazetasheshi.com, në rast se Prishtina del kampione, secili futbollist do t’i marrë nga 3 mijë euro premi, shifër kjo “ e çmendur” për futbollin tonë.