Efekti Cristiano Ronaldo, miliona ndjekës në rrjetet sociale

Futboll 11 Gusht 2018 10:31

Kanë nisur të dalin në shesh të mirat që Cristiano Ronaldo është duke ia sjellë Juventusit, që kur u transferua nga Real Madridi.

Juve shpenzoi plot 105.3 milionë euro për transferimin e sulmuesit 33-vjeçar nga Real Madridi, por janë duke i shijuar menjëherë përfitimet financiare dhe komerciale nga ky transferim, për shkak të shitjes së fanellave dhe rritjes së brendit në rrjete sociale dhe në përgjithësi.

“Results FC” i kanë mbledhur të gjitha të dhënat që lidhen me ndikimin që ka pasur transferimi i Ronaldos në rritjen e llogarive të klubit në Facebook, Twitter, Instagram dhe Youtube.

Për më pas se një muaj që nga transferimi i tij, faqja zyrtare e “Zonjës së vjetër” në Facebook ka marrë më shumë 1.7 milionë pëlqime, Instagram më shumë se 3.5 milionë ndjekës të rinj dhe në “Twitter” 340 mijë ndjekës të tjerë.

Që nga transferimi te “Zonja e Vjetër”, Juventusi i ka shitur gjithashtu të gjitha fanellat e klubit, shumica prej të cilave janë blerë me emrin e Ronaldos. Fanella të tjera nuk do të jenë të gatshme deri në tetor.

Kurse dje u raportua se Juve ka rritur çmimin e biletave. Pavarësisht se treçereku i “Juventus Stadium” është i prenotuar nga abonimet, kampionët e Italisë nuk kanë ngurruar të rrisin çmimet qoftë për abonimet, qoftë dhe për biletat, të cilat do të shiten zakonisht përpara ndeshjeve.

Për shembull, nëse vitin e shkuar në ndeshjen Juventus-Lazio në tribunat prapa porte paguaje 40 euro, për këtë sezon çmimi ka shkuar në 55 euro.

E njëjta gjë dhe në vendet e tjera të stadiumit, ku vihet re se kostoja është 30% më e lartë se në sezonin 2017/2018 – ky është efekti Cristiano Ronaldo. /Insporti.com/