EHF dënon Serbinë për anulim të ndeshjes me Kosovën

Kombëtarja 05 Qershor 2018 19:19

Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) ka dënuar Federatën e Hendbollit Serb.

Kjo e fundit është dënuar me një gjobë prej 15 mijë eurove dhe ndalimin e organizimit të turneut për ekipet kombëtare të kategorive të juniorëve për një periudhë dyvjeçare.

Vendimi u mor për shkak të anulimit të turneut kualifikues të marsit për juniorët, ku duhej të merrte pjesë edhe përfaqësuesja e Kosovës.

Siç shkruan në shpjegimin e vendimit, Serbia duhet të paguajë menjëherë gjysmën e gjobës ndërsa pjesën tjetër brenda dy vjetëve.

EHF ka njoftuar se ka marrë parasysh edhe arsyetimin e Serbisë se turneu është anuluar për shkaqe sigurie, por se takimet është dashur të zhvillohen. Serbia ka shtatë ditë për të apeluar kundër këtij vendimi.

Theksojmë se ekipi kombëtar i grupmoshave të reja të Serbisë dhe Kosovës është dashur të zhvillojnë një ndeshje në Kovilovo më 23 mars, por Ministri i Punëve të Brendshe, Nebojsha Stefanoviq kishte marrë vendim për anulimin e turneut.