FBK jep datat e afatit kalimtar – dy klube në bllokadë të transfereve nga FIBA

Superliga 02 Gusht 2018 12:51

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) njofton të gjitha klubet se afati kalimtar për të gjithë basketbollistët/et e të gjitha kategorive (vendor dhe të huaj) do të fillojë më 27.08.2018 dhe do të përfundoj më 07.09.2018 në ora 17:00.

Përndryshe Bordi i FBK-së në një vendim paraprak ka njoftuar se afati për regjistrim të klubeve për sezonin e ri garues është deri më 10 gusht.

Këtë sezon, sipas të gjitha gjasave vetëm një klub i Kosovës do të garojë në nivel evropian – Sigal Prishtina, që do të marrë pjesë në kualifikime për Ligën e Kampionëve.

Insporti raporton se kështu si janë gjërat aktualisht, dy klube të Superligës, nuk mund të transferojnë lojtarë, për shkak të ndalesës në transferime që ua ka shqiptuar FIBA.

Fjala është për Pejën dhe Bashkimin. Madje, përderisa Bashkimi ka vetëm një dënim në FIBA, në vlerë rreth 11 mijë Euro, për të cilin Insporti kishte raportuar më herët, situata tek Peja është shumë më serioze.

Ky klub, siç ka publikuar Insporti në një seri të shkrimeve, ka disa lëndë të humbura në Arbitrazhin e Basketbollit (BAT) dhe vlera e tyre kalon mbi 100 mijë Euro. Përmbi borxhet e lojtarëve, Peja është dënuar edhe nga FIBA me një dënim administrativ për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Arbitrazhit dhe situata në këtë klub është shumë e rëndë.