FHK fton Serbinë të luajë në Kosovë

Kombëtarja 24 Mars 2018 13:24

Kosova i ka ofruar Serbisë dhe dy kombëtareve tjera, Sllovakisë e Norvegjisë, mundësinë që turneu kualifikues U20 i hendbollit të femrave të organizohet në Prishtinë.

Federata e Henbollit e Kosovës (FHK) pas anulimit të turneut kualifikues U20 në Serbi, i ka dhënë propozim Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF), që Serbia dhe dy reprezentacionet tjera të vijnë në Kosovë t’i zhvillojnë të gjitha ndeshjet dhe ka shprehur gatishmërinë që të organizojë turneun menjëherë, duke pohuar se i ka kapacitetet e plota.

Propozimi i FHK-së megjithatë sipas të gjitha gjasave do të refuzohet nga EHF për shkak se kanë reaguar dy përfaqësueset tjera, Sllovakia dhe Norvegjia, dhe turneu kualifikues do të zhvillohet në ndonjë datë të ardshme të cilin e përcakton Komisioni i Garave i EHF-s.

Federata e Hendbollit të Kosovës bëri të ditur se kjo ide nuk iu ka pëlqyer kombëtareve të Sllovakisë e Norvegjisë, të cilat kanë kërkuar që të caktohet termin i ri për këtë turne.

Ideja e FHK-së është vlerësuar për triumf të sportit ndaj politikës, pas presionit të shkaktuar në Serbi.

“EHF ka shqyrtuar idenë e FHK-së që dy ndeshjet të luhen nesër dhe masnesër në Prishtinë. Kjo ide i është prezantuar Sllovakisë e Norvegjisë. Pas konsultimeve, dy përfaqësueset për shkaqe të tyre vendosën që turneun të mos e vazhdojnë në Kosovë, por të caktohen termine të reja. Ideja e FHK-së është vlerësuar për fitoren e sportit ndaj politikës megjithë presionin e trysninë që ekipi i Kosovës ka përjetuar gjatë qëndrimit në Serbi”, bën të ditur FHK-ja, transmeton Insporti.

Federata e Hendbollit të Kosovës e dha këtë propozim pas anulimit të turneut kualifikues për Kampionatin Botëror U20 në hendboll për femra, i paraparë të zhvillohej në Serbi. /Insporti.com