Finalet e konferencave – ekipet apo individët

Basketboll 13 Maj 2018 17:48

Egin Hoxha

I tërë ekipi kundër LeBronit

Po të thuhej në fillim të sezonit se Bostoni dhe Clevelandi do të ishin ekipet e fundit të mbetura duke luftuar për një vend në finale nga Konferenca e Lindjes, nuk do të ishte asgjë e pazakontë, pasi ashtu parashikonte shumica e analistëve dhe basketbolldashësve.

Mirëpo,  askush nuk do të mund ta parashikonte një skenar të tillë çfarë kemi sot e posaçërisht jo për Bostonin.

Ajo që pritej të ishte betejë ndërmjet Kyrie Irving e Lebron James tanimë është betejë ndwrmjet një ekipi me shumë lojtarw tw rinj që i tejkaloi të gjitha pritshmëritë, pas lëndimeve të superyjeve që pritej të kishin barrën kryesore, dhe ekipit të Lebron James i cili po bën njërën prej shfaqjeve më të mira në histori të playoff it të NBA-it gjer më tani.

Bostoni nuk ishte favorit as për të mposhtur  Milwaukeen e lëre më Philadelphian e cila për shumë kë luante basketbollin më të mirë në lindje në këtë playoff dhe konsiderohej si favorit për të shkuar në finale të ligës.

Çka u dëshmua edhe njëherë gjatë këtyre dy serive është që Bostoni ka bindshëm trajnerin më të mirë në ligë, dhe që pa marrë parasysh diskrepancën e talentit, që nuk ka qenë ne favor të Bostonit në asnjërën prej serive, nëse luan fort dhe kryen detyrën tënde ashtu si të është thënë të kryhet, çdo gjë është e mundur.

Bostoni  si lojtar kyç në këtë playoff ka një 20 vjeçar që është edhe opsioni numër 1 sa herë që Bostonit i duhen pikë(Tatum), një 21 vjeçar që nuk është në 100%shin e tij për shkak të lëndimit (Brown), një veteran që trajneri e quan “stabilizer”(Al Horford) që ka qenë fantastik në këtë playoff, një fundor startues që kur u zgjodh i 16ti ne draft në vitin 2015(Terry Rozier), Danny Ainge u kritikua me fjalët më të ashpra se zgjedhja ishte tepër herët dhe një gabim i madh, dhe një lojtar të gjashtë që më së miri përshkruhet nga një citat i Brad Stevens “ai është gjithmonë aty kur ekipit më së shumti i nevojitet” (Marcus Smart).

Ky Boston nuk e ka talentin ta mposhtë Clevelandin, por një gjë është e sigurt, ata nuk do të shkojnë në shtëpi sepse u dorëzuan ose sepse u frikësuan. Një gjë që këtij ekipi nuk i mungon është shpirti luftarak dhe një gjë që mund të thuhet i mungon është frika.

Clevelandi pati vështirësi shumë më shumë se sa qe pritej në rundin e parë kundër Indianës. LeBroni para humbjes në ndeshjen e parë kishte fituar 21 ndeshjet e fundit në rundin e parë që është vetëm një prej statistikave qe tregon dominimin e tij në konferencën e lindjes.

Edhe pse shpesh thuhet që Lebroni i “vetëm” e shtyn këtë Cleveland përpara, ishte pikërisht një periudhë në fund të çerekut të 3-të dhe në fillim të qerekut të 4-të të ndeshjes së 7-të, periudhë gjatë të cilës Lebron shkoi në zhveshtore me “ngërçe”(nuk ishte hera e parë që LeBroni ankohet për “ngërçe”, ju kujtohet finalja me Spurs ku kishte mungesë të klimës), e cila bëri diferencën në këtë ndeshje, nga një lojë e barabartë në rezultat, shkoi në +8 për Cavs deri në momentin kur LeBron u rikthye në fushë.

Gjithsesi ky ekip pa LeBronin është mediokër, por jo në atë masë sa të thuhet se LeBron është i vetëm.

Duke pasur parasysh që Indiana ishte e barabartë e shpesh edhe më e mirë se Clevelandi në rundin e parë, James hyri në gjysmëfinale të konferencës për herë të parë si i pa favorizuar në një seri që nuk ishte finale e ligës që prej vitit 2010.

Mirëpo si jo rrallë herë, ai i bëri bastoret dhe analistët që përzgjodhën Toronton të duken asgjë më pak se qesharak. Cleveland shkatërroi Toronton dhe dëshmoi dhe njëherë që ai ekip me protagonistët e vet kryesorë thjesht “frikësohet” nga LeBroni.

Ndihmë të madhe pati nga Kevin Love mirëpo performanca e Jamesit në këtë seri, e sidomos në ndeshjen e dytë janë disa prej arsyeve që ai është njëri nga 3 lojtarët më të mirë në histori dhe pjesë e debateve të ditëpërditshme tanimë me më të madhin e këtij sporti, Michael Jordan.

Parashikimi: Përkundër Torontos që, siç ceka më lartë frikësohet nga LeBron, nuk mund të thuhet e njëjta për Bostonin. Faktor kyç do të jenë lojtarët e bankës së Clevelandit, të cilët deri më tani kanë qenë shumë nën nivelin e pritur prej tyre. Nëse ata performojnë në nivelin që pritet prej tyre vështirë që Bostoni mund të arrijë të bëjë shumë në këtë seri. Por, nëse ky ekip vazhdon të mbështetet vetëm në Lebronin dhe Kevin Love do të jetë një seri e gjatë dhe fituesi do të përcaktohet me siguri në ndeshjen e 6-të ose 7-të.

Finalja para finales

Ekipi me bilancin më të mirë gjatë sezonit të rregullt dhe potencialisht MVP-në në skuadër kundër kampionit aktual. Çfarë mund të dëshirosh më shumë se kaq?

Daryl Morey (menaxheri gjeneral i Houstonit), lirisht mund të thuhet se 3 vitet e fundit ka rënë dhe është zgjuar nga gjumi me mendimin se si të krijojë skuadër që do të mund ti mposhtë Warriors.

Asnjëherë nuk ka qenë më afër se këtë vit dhe problem se do të jetë më afër në të ardhmen duke pasur parasysh se sa e fuqishme është konferenca e perëndimit dhe sa larg është për t’ju kaluar koha e artë kësaj gjenerate të Golden State.

Duhet thënë se dy nga përforcimet që janë bërë apostafat për ti bërë ballë ekipit të Warriors janë Luc Mbah a Moute dhe PJ Tucker, njëri për shkak se është ndër të paktët lojtarë në ligë që mund ti krijojë telashe Durantit dhe tjetri për shkak të mundësisë që i jep Raketave të përballen me 5shen e njohur si “The Hampton five” (e njohur kështu sepse ishin pikërisht Curry, Thompson, Iguodala dhe Green, ata që shkuan në Hampton për tu takuar me Durant gjatë afatit kalimtar të lojtarëve në vitin 2016 për ta ftuar të ju bashkëngjitet.

Ndryshe njihet edhe si “death lineup” që nga koha kur ishte Harrison Barnes (e që tash është zëvëndësuar nga Durant), e që Steve Kerrit ju desh ta fusë në ekuacion më herët se sa që e kishte menduar,  kundër Pelicans pas lojës fantastike të tyre në ndeshjen e 3-të të serisë gjysmëfinale.

PJ Tucker është i aftë ta ruajë Draymon Greenin dhe lojtarë të çdo pozite tjetër në fushë , gjë që i mundëson fleksibilitet në rotacion Houstonit.

Houstoni në rundin e parë lehtë kaloi me Minnesotën e cila u pa se këtë vit ishte larg për tu quajtur ekip serioz, shumë e padisiplinuar, e papërvojë dhe lehtë e dorëzueshme.

Në rundin e dytë rookie fantastik i Utah Jazz,  Donovan Mitchell, pati momentet e veta dhe me ndihmën e Joe Ingles arritën të fitojnë një ndeshje.

Mirëpo,  nuk pritej se mund të ndodhë ndonjë befasi duke pasur parasysh lëndimin e Rubios që prej fillimit e kur kësaj iu shtua edhe lëndimi i Exum në ndeshjen e 4-t, që ishte bindshëm mbrojtësi më i mirë në Hardenin, fundi ishte i vetmi skenar i mundshëm për sezonin fantastik të Utah.

Pas një çereku të tretë të jashtëzakonshëm në ndeshjen e 5-të nga Donovan Mitchell, dhe kur Utah filloi të fitoj besim se kjo seri do të kthehej edhe njëherë në fushën e tyre, kështu nuk mendoi edhe Chris Paul që me njërën prej performancave më të mira të këtij playoffi, nuk mund të lejonte të mos shfrytëzohej mundësia e parë që të shkohej në finale të konferencës. Paul dhe konsiderohej si lojtari më i mirë në histori i cili asnjëherë nuk ka arritur në këtë fazë të playoffit.

Golden State në anën tjetër e filloi playoffin me San Antonion, që nuk e kishte lojtarin e tyre kryesor dhe që në mes të serisë mbeti edhe pa trejnerin legjendar Popovich (të cilit i vdiq gruaja), humbi një ndeshje pasi 40 vjeçari Ginobili për të cilin ende nuk dihet nëse do pensionohet ose jo pas këtij sezoni (pyetje që shtrohet tash e disa vite pas perfundimit të çdo sezoni të San Antonios), vendosi që nuk do të humbas në terrenin e vet, por kjo ishte e tëra që mund të bënte San Antonio kundër një ekipi shumë më dinamik dhe me shumë më shumë talent, edhe pse i mungonte Curry.

Në rundin e dytë u takuan me Pelicans të cilit ishin fantastikë në serine e parë kundër Blazers, dhe me plot motivim e energji për ta mposhtur kampionin aktual, por rikthimi i Curryt e bënte këtë misionin të pamundur në letër, e pas ndeshjes së 3-të, që e humbën, me futjen e 5shes më të mirë në ligë si 5she startuese, edhe ajo pak shpresë që mund të kishin u shua. Golden State dëshmoi se janë të pathyeshëm dhe nuk mund të vësh bast kundër tyre derisa të dëshmohet e kundërta.

Parashikimi: Nëse Houston dëshiron të fitojë, Harden duhet të luajë si lojtari më i mirë në parket, Chris Paul të luaj më mirë se Curry dhe avantazhi i fushës vendëse të shfrytëzohet në maksimum. Që këto të gjitha të ndodhin nuk do të jetë aspak e lehtë, dhe Golden State mbetet favorit . Kur thashë në fillim finale para finales e thashë me mendimin se këto janë dy ekipet më të mira në ligë dhe fituesi i tyre do të jetë favorit absolut për titull. Duke pasur parasysh të gjitha mendoj se Golden Staten vetëm lëndimet mund ta ndalin nga titulli. Fitojnë në 6 ndeshje.