Froni ku të mëdhenjtë rrëzohen

Superliga 31 Janar 2018 14:39

Leart Hoxha

 

Imperator është nofka me të cilën njihet trajneri turk i futbollit Fatih Terim. Të njëjtën nofkë ia kishin vënë Plisat – tifozët e Sigal Prishtinës, trajnerit turk Ahmet Kandemir, duke vendosur një transparent gjigant në Pallatin e Rinisë, për ta falënderuar për fitimin e Kupës së Kosovës në sezonin 2012/13. Ironikisht, transparenti u bë publik vetëm pasi u luajt edhe ndeshja e parë e finales së plejofit, ku Sigal Prishtina kishte pësuar 44:71 ndaj Pejës – numri më i vogël i pikëve të shënuara nga Sigal Prishtina në ndonjë ndeshje plejofi ndonjëherë.

Kandemir dikur mund të ketë qenë imperator, por është i pari që u vendos në një fron shumë të rrezikshëm, fron nga i cili ai ka rënë dy herë, kurse 10 trajnerë të tjerë janë ngjitur dhe kanë rënë për më pak se 5 vjet.

Trashëgimia e Arben Krasniqit

Turku shtat shkurtër dhe shumë energjik kishte zëvendësuar Arben Krasniqin, trajnerin i cili kishte udhëhequr Sigal Prishtinën për shtatë sezone duke u shpallur gjashtë herë kampion i Superligës dhe duke e fituar pesë herë Kupën e Kosovës.

Krasniqi, për të cilin, përjashto raste të xhelozisë patologjike, ka konsensus se është trajneri më i mirë i basketbollit që ndonjëherë e ka pasur Kosova, është një prej njerëzve më meritorë për shndërrimin e Sigal Prishtinës nga një klub i katërshes së madhe, në klubin mbizotërues në basketbollin e Kosovës.

Sigal Prishtina në atë kohë ishte klubi me financat më stabile dhe Krasniqi ishte në gjendje të mbledhë lojtarët më të mirë vendorë në një ekip. Kur atyre ua shtonte 2-3 të huaj, krijohej një përbërje që lehtësisht dominonte në plejof. Njëkohësisht përgjatë sezonit të rregullt, vendorët kishin sa të duash hapësirë për të ngritur nivelin e lojës së tyre.

Dominimi i Sigal Prishtinës u ndërpre në sezonin 2011/12 kur Trepça u bë kampion, kurse humbjet në finale nisën një proces të gjatë dhe problematik të ndryshimeve në kryesinë e klubit.

Disa lojtarë vendorë, ndaj të cilëve klubi kishte borxhe të mëdha, i kishin fituar lëndët e tyre në gjykata dhe llogaritë e klubit ishin bllokuar, duke bërë që klubi të operojë me para në dorë dhe vështirësi të mëdha.

Procesi i themelimit të kryesisë së re, ka qenë i gjatë dhe i shoqëruar më shumë manovra juridike dhe sportive, por i vetmi njeri që i shpëtoi turbulencave ishte Arben Krasniqi, i cili si krye trajner e filloi sezonin 2012/13.

Mirëpo, ambiciet e klubit për trofe ishin të mëdha dhe siç ngjet shpesh në këso raste, trajneri e pëson i pari. Arben Krasniqi u shkarkua në fillim të pjesës pranverore të sezonit 2012/13 dhe u zëvendësua nga Kandemir.

Trajneri turk me karrierë të madhe, por edhe personalitet që ka shkaktuar skandale jashtë terrenit, e fitoi Kupën e Kosovës, por nuk kishte asnjë gjasë kundër Pejës, që atë sezon u bë kampion.

Mbretërit që pësojnë në rokada

Imperator më nuk kishte, por pas Kandemirit në krye të ekipit të klubit më të madh në Kosovë, të përkrahur nga ushtria më e madhe e tifozëve, erdhën prijës të shumtë.

Sezoni 2013/14 ishte sezoni debutues për Sigal Prishtinën në ligën ballkanike BIBL. Ambiciet ishin të mëdha, sponsorizimet ishin solide, kurse interesimi i tifozëve dhe opinionit ishte i paparë.

Kandemir mori ekipin e Besiktasit, kështu që Sigal Prishtina, që kishte nisur një raport afat gjatë me strategun turk, në krye të shtabit teknik vendosi turkun tjetër Ceyhun Cabadak.

Cabadak kishte marrë një ekip shumë të mirë (Berisha, Jones, Wesson, Kieza, Waller, Mazreku, Azemi…) dhe një klub me kryesi më të mobilizuar se kurrë.

Njëkohësisht duhet thënë se sezoni 2013/14, ka qenë ndër më të mirët në historikun ligës BIBL dhe përveç Sigal Prishtinës, ekipet si Galil Gilboa, Balkan, Levski, Peja, Teodo e Craiova kishin përbërje mjaft cilësore .

Sidoqoftë, Sigal Prishtina kishte ekip për të mbërri në Final 4 të kësaj lige dhe duke dashur ta fitojë ligën, kishte marrë përsipër edhe organizimin e këtij turneu final në Prishtinë.

Nëse ka qenë viktimë e ambicieve të klubit, apo ndonjë vendimi tjetër, është vështirë të thuhet por në shkurt 2014, pas humbjes nga Teodo në Tivat, Cabadak u tërhoq nga klubi dhe vetëm pak ditë në krye të shtabit teknik erdhi Marin Dokuzovski.

Klubi kishte dhënë një komunikatë për dorëheqjen e Cabadak, por i njëjti më pas e “paditi” klubin në arbitrazhin e FIBA-s dhe e fitoi lëndën e tij, duke dëshmuar se kontrata nuk ishte shkëputur me pajtim dypalësh.

Dokuzovski u shpall kampion dhe fitues i Kupës së Kosovës, por në Final 4 të ligës BIBL në Prishtinë, nikoqiri u mposht nga Galil Gilboa me Sharon Druckerin në bankë dhe ekip të shkëlqyeshëm në parket.

Sezonet pasuese ishin vazhdim i trendit të njëjtë. Sezonin 2014/15 e ka nisur Sabit Hadzic, boshnjaku me CV impresive si trajner dhe lojtar, por i cili nuk qëndroi një sezon të plotë. Ai u zëvendësua nga Marjan Ilievski. Maqedonasi, shumë i dashur për publikun në Prishtinë, për shkak të rezultateve, por edhe qasjes dhe stilit të jetesës, u bë kampion i ligës BIBL dhe kampion i Kosovës, kurse në finale të Kupës ishte mundur nga Peja.

Ilievski ishte trajneri me të cilin Sigal Prishtina e nisi sezonin 2015/16, por kësaj radhe ambiciet ishin edhe më të mëdha dhe rreziku po ashtu. Prishtina luante në FIBA Europe Cup, ligën BIBL dhe në garat vendore. Dështimi në fazën e grupeve në FIBA Europe Cup, ishte i pa falshëm për Ilievskin, i cili u largua nga klubi, duke bërë që ekipi përkohësisht të udhëhiqej nga Fikret Shatri e Albert Sylejmani.

Dyshja e asistentëve të “përjetshëm” nuk qëndruan shumë në krye të ekipit, madje, pas ardhjes së Antonis Constantinides si krye trajner, Shatri u tërhoq nga klubi krejtësisht.

Qiprioti karizmatik, për të cilin thuhej është i “çmendur” pas skautimit e mbrojtjes dhe përdorë çdo metodë në dispozicion për të arritur fitore, solli frymë të re tek kampioni i Kosovës dhe e ngriti ekipin nga “depresioni kolektiv”, që i kishte kapluar pas disa humbjeve në ndeshje të forta.

Sidoqoftë, karizma nuk ishte e vetmja veçori e Constantinides. Duke fituar Superligën dhe Kupën e Kosovës si dhe ligën BIBL, ky trajner pasuroi edhe më shumë listën e tij si dhe listën e trofeve të Sigal Prishtinës, të dyja këto lista, edhe ashtu impresive.

Sezoni 2016/17 do të duhej të ishte koha kur mësimet e nxjerra në pësime, do të bënin që klubi dhe ekipi të funksionojnë më mirë. Mirëpo, problemet e mëdha për kryesinë ishin evidente para fillimit të sezonit, kurse për publikun u bënë evidente pas xhiros së parë të Superligës.

Ky sezon po ashtu ishte i pari, që klubi e kishte nisur duke bartur borxhe dhe obligime nga paditë e humbura në BAT (Arbitrazhin e Basketbollit të FIBA), të cilat i kishin fituar lojtarë dhe trajnerë që kishin dëshmuar se Prishtina u kishte borxh.

Trajneri Petar Mijovic, i cili paraprakisht kishte udhëhequr me sukses Bashkimin, mori Sigal Prishtinën dhe u mposht nga Bashkimi, ish klubi i tij në xhiron e parë të Superligës.

Mijovic, pas kësaj humbjeje, në xhiron e parë të sezonit e ofroi dorëheqjen e tij. Klubi ia refuzoi dorëheqjen, por të gjithë e kuptuan se udhëheqja e Sigal Prishtinës ishte sfidë e papërballueshme për trajnerin e ri malazias dhe autoriteti i tij tek lojtarët nuk ishte i mjaftueshëm.

Mijovic dikur u largua, pasi edhe sezonin në ligën BIBL edhe në FIBA Europe Cup e kishte nisur me humbje. Në vend të tij erdhi kroati Jeronimo Sarin, por përshtypja ishte se dëmet e shkaktuara ishin vështirë të riparueshme.

Sarin qëndroi më pak se dy muaj deri në fund të pjesës së parë të sezonit, përgjatë së cilit Sigal Prishtina u eliminua nga FIBA Europe Cup dhe kishte bilanc 2-4 në ligën BIBL.

Një kohë të shkurtër, pas largimit të Sarin, ekipin e kishte udhëhequr Andin Rashica, i cili kishte punuar si ndihmës i disa prej trajnerëve të huaj në ekip dhe ndihmës i Arben Krasniqit në kombëtare.

Duke e parë nevojën për shok terapi, menaxhmenti i këtij klubi tentoi të nënshkruajë ekspertin italian Marco Calvani. Pas kontakteve fillestare, Calvani erdi në Prishtinë, qëndroi disa ditë, por ajo që pa si duket nuk ishte bindëse dhe nuk e mori përsipër udhëheqjen e ekipit.

Pas dështimit për të angazhuar Calvanin, klubi angazhoi trajnerin nga Lituania Audrius Prakuraitis. Një prej pak trajnerëve nga vendet baltike, i gatshëm të marrë punë në këtë pjesë të Evropës, kishte punë vetëm në garat vendore dhe bëri atë që pritej nga ai – fitoi Kupën dhe Kosovës dhe Superligën, duke vazhduar hegjemoninë e klubit kryeqytetas në garat vendore.

Kthimi i Imperatorit dhe shansi i dytë i Andinit

Duke e parë që shumica e klubeve në IP Superligë kanë probleme të mëdha financiare dhe garat në Kosovë nuk do të jenë interesante as për publik, as për televizione e as për sponsorë, menaxhmenti i klubit me shumë insistim kërkonte një shpërthim në skenën evropiane.

Ambiciet ishin të mëdha, por si duket nuk kishin shumë bazë. Klubi ktheu në krye të ekipit Ahmet Kandemirin dhe ktheu në ekip Dardan Berishën.

Sidooqoftë, kur erdhi radha për lojtarët e huaj, në mungesë të kohës dhe mjeteve, u vendos që të merren shumë lojtarë të rinj, e jo dy ose tre lojtarë të kushtueshëm dhe të dëshmuar.

Sigal Prishtina sezonin aktual e nisi me kualifikime për Ligën e Kampionëve, por e eliminua në xhiron e parë të kualifikimeve nga Tsmoki Minsk.

Në FIBA Europe Cup, edhe pse garën në grupe e filloi shumë mirë, nuk arriti të dalë nga grupi, kurse garimin në ligën BIBL e kishte kapërcyer, duke vlerësuar, me të drejtë, se është mbi nivelin e asaj gare në kuptimin organizativ dhe sportiv.

Dështimet në Evropë, bënë që Kandemir, Dardan Berisha dhe Lis Shoshi të tërhiqen nga ekipi dhe të gjejnë angazhmane në Evropë, kurse lojtarët tjerë të huaj u lëshuan, duke dashur të kursehet në financa.

Ekipin që garon në IP Superligë dhe që përbëhet nga lojtarë vendorë, tashmë e udhëheq Andin Rashica.

Përbërja aktuale e Sigal Prishtinës, sado e dobësuar, është me siguri më e mira në ligë dhe përvoja që mund ti mungojë Rashicës në krye të ekipit, lehtë kompensohet nga përvoja që kanë Azemi, Veseli dhe vëllezërit Rugova në ligën e Kosovës dhe në ndeshje të mëdha.

Këso raste ka a të duash në Evropë trajnerët si Alimpijevic ose Lutz janë ndër shembuj të ngjashëm në rajon.

Shikuar nga ky aspekt sezoni aktual është një test i madh për trajnerin, lojtarët dhe klubin, që fare lehtë mund të përforcohet nga një ose dy lojtarë të huaj dhe të fitojë Kupën e Kampionatin pa problem.

Nëse duhet të vazhdohet me këtë mënyrë të rekrutimit të trajnerëve dhe të lojtarëve, apo nëse duhet ndryshuar rrënjësisht menaxhimin e klubit, është temë për shumë debate brenda klubit dhe temë e ndonjë shkrimi tjetër.