Gëzuar për jetën

Kombëtarja 29 Qershor 2018 01:22

Leart Hoxha

Nuk doja të shkruaj për Gazin. Për shumë arsye nuk doja të shkruaj. Një shok i imi i deri vonshëm, kur vdiq Fadil Vokrri, dukshëm i tronditur, por gjysmë në shaka më tha “Mshele portalin njeri. Mshele krejt, se prej se e ke çelë, veç in memoriama po shkruan”. Për katër muaj vdiqën Agim Binaku dhe Fadil Vokrri dhe nuk më shkruhej edhe një in memoriam. Po humbisja miq e njerëz që i doja dhe isha harxhu keq.

Nuk doja të shkruaja për Gazin edhe për shkak të të pafytyrëve dhe hienave. Ndër shokë të mi të deri vonshëm dhe ndër kolegë të mi, kishte njerëz të gatshëm që të shkelin mbi të vdekurit për shtyrje të mikro agjendave të tyre dhe më dukej që nuk meritojnë përgjigje.

Nuk doja të shkruaja për Gazin edhe për shkak se kisha parë skena që nuk do ti harroj kurrë. Reagimin e familjarëve të tij, kur u tregova që Gazi ka vdekur, më pas agoninë që ua kam shkaktuar me gabim timin, meqë nuk kishim konfirmim se kur e kishte pranuar trupin Mjekësia Ligjore, shpresoj që familja e tij të ma falë, sepse unë nuk mund t’ia falë vetes.

Mbi të gjitha nuk doja të shkruaja për Gazin sepse kishim humbur një lojtar e një shok dhe shihja basketbollistët tjerë të kombëtares, por edhe krerët e FBK-së, pa motiv për basketboll, pa motiv për asgjë dhe e shihja më të mirin ndër ne – Dardan Berishën, duke fajësuar veten, e prapë duke bërë atë që bën secili kapiten, që është marrje e përgjegjësisë dhe menaxhim i situatës.

Nuk doja dhe nuk do të mund të shkruaja për Gazin, sikur të mos shihja skena tjera që nuk do ti harroj kurrë – skenat e ndeshjes së Kosovës me Hungarinë.

Po, Kosova luajti me 11 lojtarë, e la një ulëse të zbrazët në bankën e rezervistëve për Gazin, në ndeshjen ku ai do te duhej të ishte startues dhe e nderoi sipas mundësive në protokoll.

Por, ata që me Gazin festuan derisa ai iku nga kjo botë, hynë në fushë dhe luajtën basketboll përtej secilës pritshmëri, treguan se si luftohet për të nderuar emrin e shokut të tyre dhe të shtetit që e përfaqësojnë.

Ajo që ka treguar ekipi kombëtar i Kosovës në ndeshje me Hungarinë ishte shpërthim pas një ngjarjeje që na i copëtoi zemrat. Edhe më shumë se aq, ishte rilindje pas një vdekjeje shumë të dhimbshme.

Rilindje sepse Dardan Berisha dhe Erjon Kastrati e gjetën ndjenjën për basketboll dhe për top dhe për publik dhe gjithçka që ndeshjet e kombëtares i bën magjike.

Rilindje sepse pashë Dardan Kapitin – djaloshin 18 vjeçar i cili kapi një “banane maje tablle” dhe zhvilloi ndeshjen më të mirë të tij ndonjëherë, sepse Ergin Grosha la zemrën në parket dhe luajti më shumë minuta në një ndeshje të kualifikimeve për botëror, sesa që ka luajtur në ndonjë ndeshje viteve të fundit dhe sepse Mikaile Tmusic, i tejkaloi dilemat ligjore, morale, familjare dhe 101 demonë në kokën e tij, për tu bërë anëtari më i ri i një ekipi kombëtar që po vjen.

Ato skena, do të duhej secilin prej neve ta mbushin me vullnet për jetë, sepse dhimbja nuk lehtësohet dhe humbja nuk kompensohet edhe ashtu.

Kjo kombëtare tregoi që ka diçka që i ka munguar herë pas here shumë lojtarëve, por Gazit asnjëherë – ka zemër të madhe.

E di mirë se kampionët bëhen me punë dhe kultivim të talentit, por kam parë shumë talentë që s’kanë pasë zemër dhe nuk kanë mbërri majat.

Ky, mbase edhe nuk është një shkrim për Gazin. Mbase është mënyra ime për të thënë, se zemrat e të gjallëve rrahin, se kombëtarja do të luajë prapë basketboll, se jeta vazhdon…

Gëzuar për jetën, o njerëz të mirë!