Gjyqtarët enigmatikë për dy ndeshjet vendimtare

Futboll 17 Maj 2018 15:19

Këtë fundjavë bie perdja e Kampionatit të Kosovës në futboll, por vetëm dy ndeshje janë në qendër të vëmendjes. Të shtunën, në Gjakovë, Vëllaznimi e pret Gjilanin  dhe njëra nga këto dy skuadra do t’i bashkohet Flamurtarit në barazh. Vëllaznimin e shpëton vetëm fitorja, ndërsa Gjilanit i mjafton edhe barazimi.

Ndërsa, të dielën do ta mësojmë emrin e kampionit të ri dhe kjo dilemë zgjidhet në ndeshjen Prishtina – Drita, e cila zhvillohet në Pejë. Prishtinës i duhet fitorja me dy gola dallim, ndërsa Drita shpallet kampione me humbje me rezultat minimal, me barazim dhe natyrisht me fitore.

Duke marrë parasysh rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve, te dashamirët e futbollit është shprehur interesim i madh jo vetëm për përcjelljen e tyre, por edhe për t’i mësuar emrat e gjyqtarëve që do t’i drejtojnë ato. Megjithatë, tash për tash kjo mbetet enigmë, pasi Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur që gjyqtarët për këto dy ndeshje të caktohen më vonë.