Gjyqtari serb arrestohet dhe dështon në testin e poligrafit

Futboll 15 Maj 2018 16:41

Srdjan Obradoviç, gjyqtari serb i ndeshjes, Subotica – Radnicki Nis, që akordoi një penallti të dyshimtë, gjatë ditës së sotme është arrestuar nga policia, nën dyshimin se ka keqpërdor detyrën zyrtare.

Gjyqtarit serb i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve, kur edhe do të paraqitet para gjykatësit dhe akuzohet se e ka keqpërdor pozitën e tij, duke e favorizuar skuadrën vendase përmes një penalltie, me ç’rast u përcaktua edhe fituesi i ndeshjes Subotica – Radnicki Nis, që ishte e vlefshme për pozitën e tretë në Super Ligën e Serbisë, që dërgon në Europa League.

Dyshimet për një penallti të qëllimtë nga ana e tij janë forcuar edhe më shumë, për shkak se pasi ishte arrestuar, gjyqtari Srdjan Obradoviç pretendonte se gabimi i tij kishte qenë pa qëllim, çka duke u bazuar në pamjet e ndeshjes, kishte zgjuar dyshim te policia.

Për këtë arsye policia e kishte urdhëruar që të kryhej testimi përmes poligrafit, ku Obradoviç kishte dështuar ta kalonte dhe kjo edhe vulosi dyshimet se penalltia ishte e qëllimshme nga ana e tij.

Penalltia e dhënë në këtë ndeshje, po llogaritet që është më bizarja në historinë e futbollit serb dhe presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Slavisa Kokeza, ka paralajmëruar se Federata do të ndërmarr masa, duke e larguar Srdjan Obradoviç, nga lista e gjyqtarëve që gjykojnë ndeshje. /Insporti.com