Hazard tregon kush do ta fitojë “Topin e Artë”

Futboll 12 Tetor 2018 18:59

Sipas yllit të Chelseas, Eden Hazard, kroati Luka Modric do ta fitojë “Topin e Artë”.

Modric, 33 vjeç, shihet si favoriti që do t’i japë fund dominimit të Cristiano Ronaldos dhe Leo Messit në marrjen e këtij çmimi.

Kapiteni i Kroacisë, e dërgoi kombëtaren e tij në finalen e Kupës së Botës pasi ndihmoi Real Madridin të triumfonte në edicionin e fundit të Champions Leagues.

Hazard, një prej kandidatëve për ta fituar këtë çmim, ka thënë se Modric, i cili muajin e kaluar u shpall “Lojtari më i Mirë” nga FIFA, do ta meritonte më shumë se të tjerët.

“Nuk mendoj se do ta fitoj unë. Për mendimin tim, Modric e meriton atë,” ka thënë ylli i Chelseas në konferencë për shtyp.

“Janë tre ose katër lojtarë në garë. Mund të them (mbrojtësi i Francës dhe Real Madridit) Raphael Varane, sepse edhe ai fitoi shumë. Edhe unë e meritoj. Por mendoj se Modric do ta fitojë. Ky do të jetë një shpërblim për sezonin fantastik që bëri në Champions League dhe Kupën e Botës”, ka shtuar belgu.