Java e së vërtetës

Futboll 17 Maj 2018 14:41

Java e 33-të, e fundit, e Vala Superligës së Kosovës në futboll nis nesër me tri ndeshje që do të zhvillohen vetëm sa për të kryer një formalitet. Kampioni aktual, Trepça ’89 që disa javë më parë hoqi dorë nga mbrojtja e titullit do të jetë mikpritëse e Vllaznisë së Pozheranit, e cila pas një viti në Superligë do të kthehet në shoqërinë e vjetër.

Në Ligën e Parë do të garojë edhe Besa, por që për skuadrën pejane është shoqëri krejtësisht e re, pasi pjesë e saj do të jetë për herë të parë. Besa nga Superliga do të përshëndetet me ndeshjen në “Shahin Haxhislami” ku e pret Llapin. Në kryeqytet Flamurtari që dy javë më parë e siguroi barazhin, takohet me Feronikelin, skuadër e cila çuditërisht erdhi në pozitë sa të mendojë për ekzistencë.

Pa shumë rëndësi është edhe ndeshja ndërmjet Drenicës e Lirisë që zhvillohet të shtunën. Të njëjtën ditë në program është edhe ballafaqimi ndërmjet Vëllaznimit dhe Gjilanit. Njëra skuadër nga ky çift do të luajë në barazh, ndërsa tjetra do ta sigurojë ekzistencën në Superligë. Gjakovarët i shpëton vetëm fitorja, ndërsa Gjilanit i mjafton edhe një pikë.

Kryendeshja jo vetëm e javës, por e tërë kampionatit zhvillohet të dielën në Pejë ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, ku do të përcaktohet kampioni i ri. Për ta arritur këtë qëllim, Prishtinës i duhet fitorja me së paku dy gola dallim, ndërsa çdo rezultat tjetër e shpall Dritën kampione.

Vala Superliga – java e 33-të
E premte:
Trepça’89 – Vllaznia
Besa – Llapi
Flamurtari – Feronikeli
E shtunë:
Vëllaznimi – Gjilani
Drenica – Liria
E diel:
Prishtina – Drita

Ndeshjet fillojnë në orën 16:00.