Kampioni dihet në javën e fundit

Superliga 13 Maj 2018 20:39

Vushtrria e ka fituar derbin e javës së 19-të të Superligës A në hendboll për femra. Të dielën pasdite, në Deçan, Vushtrria fitoi ndaj Istogut me rezultat 36:32. Pas  pjesës së parë rezultati ishte 19:13 në të mirë të mysafireve nga Vushtrria. Me këtë fitore Vushtrria është shkëputur sërish në vendin e parë me 33 pikë. E dyta është Shqiponja e Gjakovës me 31 pikë, Istogu renditet i treti me 25 pikë, ndërsa Prishtina e katërta me 19 pikë.

Deri në fund të garave ka mbetur vetëm edhe një xhiro. Pikërisht në xhiron e fundit (20) Vushtrria e pret Shqiponjën në ndeshjen që do të vendosë për titull të kampionit. Vushtrria me fitore ose barazim shpallet kampione, ndërsa Shqiponjës i duhet vetëm fitorja.

Istogu kohë më parë fitoi Kupën e Kosovës ndërsa të dielën u paraqit pa disa lojtare të rëndësishme, që janë të lënduara. Më efikasja te kjo skuadër ishte A. Berisha me 12 gola, ndërsa 7 herë shënoi V. Rexhaj. Te Vushtrria nga 7 gola i shënuan D. Mehmeti e M. Sfarqa. Të shtunën Shqiponja fitoi ndaj Prishtinës me rezultat 29:24 për të mbetur në garë për titull.