Kerasan Prishtina mund të jetë shpëtimtari i ligës

Superliga 03 Gusht 2018 13:17

Federata e basketbollit e Kosovës tashmë ka shpallur datat dhe afatet për regjistrimin e ekipeve dhe lojtarëve për sezonin 2018/19 dhe përderisa FBK po përgatitet për sezonin e ri, disa prej klubeve po përballen me probleme të rënda.

Situata askund nuk është më e rëndë se në klubin e Pejës, për shkak të borxheve ndaj FIBA-s, FBK-së dhe lojtarëve vendorë e të huaj nga sezonet e kaluara.

Edhe pse ka edhe një javë afat, KB Peja sipas të gjitha gjasave nuk do të mund të përmbushë kriteret për garim këtë sezon, pikërisht për shkak të borxheve të mëdha dhe dënimeve.

Në anën tjetër, klubi që sivjet ra nga Superliga në Ligën e Parë, Kerasan Prishtina mund të jetë zgjidhja që e “shpëton” Superligën me 8 ekipe dhe sistemin aktual të garave.

Insporti ka kontaktuar me kreun e këtij klubi Valton Bilallin, i cili ka thënë se “jemi të gatshëm të kthehemi në Superligë nëse FBK shpall wild card ose nëse ka ndonjë vend vakant. Ekipet kanë punuar dhe gjatë verës tërë kohën dhe shumë lojtarë kemi nëpër reprezentacione të grup moshave të ndryshme dhe mendoj se jemi gati”.

Bilalli shtoi se “ideja e Kerasan prishtina ka qenë që të jetë një platformë për zhvillim të lojtarëve të rinj. Fatmirësisht sezonin e kaluar ishim në gjendje të transferojmë lojtarë në Amerikë dhe Evropë, por fatkeqësisht, ekipi u dobësua dhe ramë nga liga. Sidoqoftë, ne me këtë vizion do të vazhdojmë dhe në kuptimin financiar dhe organizativ jemi të gatshëm për garim edhe në elitë”.

Situata e rëndë në KB Peja ka qenë temë edhe e shkrimeve të Insportit se si ky klub ka ardhë në prag të bankrotimit, ku faktohen borxhet ndaj lojtarëve dhe lëndët e humbura në BAT.