Kosova e zhvilloi edhe ndeshjen e fundit në kualifikime  

Kombëtarja 02 Qershor 2018 17:56

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave në hendboll e ka zhvilluar edhe ndeshje e fundit për kualifikimet në Kampionatin Evropiani. Hendbollistet tona u takuan me Holandën në Almere të Holandës. Ashtu si pritej, fitorja i takoi Holandës, që është superfuqi e hendbollit evropian e botëror dhe ka në formacion disa prej hendbollisteve më të mira në botë. Ndeshja përfundoi me rezultat 42:16 në të mirë të vendaseve.

Ndeshja u luajt në një atmosferë të vërtetë sportive. Vajzat tona patën përkrahje të një grupi të bashkëatdhetarëve tanë që ishin të zëshëm. Ndonëse e përballur me mungesë të disa prej lojtareve më të rëndësishme për shkak të lëndimeve, kombëtarja jonë pati paraqitje të mirë në disa momente. Sidomos në pjesën e parë hendbollistet e Kosovës shfaqën më shumë dhe në periudha rezistuan fuqishëm ndaj holandezeve.

Është kjo ndeshja e dytë mes Kosovës e Holandës. Më 1 tetor të vitit të kaluar në Prishtinë, Holanda fitoi me rezultat 40:12. Në ndeshjen e së shtunës Kosova pranoi dy gola më shumë, por shënoi katër më shumë.

Kosova i ka humbur të gjitha gjashtë ndeshjet në fazën e dytë kualifikuese por vetë paraqitja në këtë fazë është sukses. Në fazën e parë kishte fituar ndaj Gjeorgjisë dhe Izraelit dhe kështu siguroi fazën e dytë ku qëlloi në një grup shumë të fortë me Holandën, Hungarinë e Bjellorusinë. Holanda e Hungaria janë vende elitare të hendbollit botëror, ndërsa edhe Bjellorusia ka lojtare në nivelin më të lartë evropian.

Përfaqësuesja jonë përbëhet nga lojtare të reja që bëjnë karrierë në liga evropiane dhe atë të Kosovës dhe ndeshjet me hendbollistet më të mira në botë do t’u shërbejnë shumë atyre për të ardhmen.

Ndeshjen ndaj Holandës e përcjellën 2400 shikues në palestër. Ardiana Merditaj ishte më efikasja te Kosova me gjashtë gola. Nga katër herë shënuan Mirela Gjikokaj e Albina Rugova. Anouk Nieuwenweg me tetë gola dhe Lynn Knippenborg me shtatë gola u dalluan te holandezet.

Faza e dytë
Hungaria – Kosova 37:12
Kosova – Holanda 12:40
Kosova – Bjellorusia 22:31
Bjellorusia – Kosova 41:18
Kosova – Hungaria 15:37
Holanda – Kosova 42:16