Kosova para dy ndeshjeve të vështira

Kombëtarja 23 Maj 2018 16:43

Hendbollistet e Përfaqësueses së Kosovës të martën kanë nisur përgatitjet për ndeshjet me Hungarinë e Holandën, që janë të fundit në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian të këtij viti. Kombëtarja është e grumbulluar në Prishtinë, ku do të përgatitet për ndeshjet e 30 majit dhe 2 qershorit.

Më 30 maj Kosova e pret Hungarinë në Ferizaj, ndërsa më pas udhëton për në Holandë. Përzgjedhësi Agron Shabani thotë se synimi është të tregohet lojë sa më e mirë ndaj dy përfaqësueseve shumë të forta evropiane. “Dy ndeshjet e fundit i kemi me kundërshtarë shumë të vështirë, me dy ekipet më të mira të Evropës. Rezultatet e dy ndeshjeve të para kundër këtyre ekipeve tregojnë për kualitetin që e kanë. Në këtë tubim jemi pak të dobësuar sa i takon kuadrit të lojtareve, për shkak të disa lëndimeve. Megjithatë, ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin me shpresë se mund të arrijmë një rezultat sa më të mirë ndaj këtyre dy ekipeve. Presim të kompletohemi gjatë fundjavës. Ushtrimet momentalisht po zhvillohen me intensitet, ndërsa ne po punojmë që të tregojmë lojë sa më të mirë”, ka deklaruar Shabani.

Kosova i ka humbur katër ndeshjet e deritashme dhe është e fundit (4) në grupin e shtatë. Nga Hungaria kishte humbur me 37:12, ndërsa nga Holanda me 40:12. Humbi dy ndeshje edhe nga Bjellorusia.

Për këto ndeshje, ai nuk mund të llogaritë në kapitenen Leonora Demaj dhe në Xhevahire Salihajn. “Demaj e Salihaj mungojnë për shkak të lëndimeve. I kemi dy emra të rinj në listë, Ardiana Merditajn dhe Adriana Salihun”, ka shtuar Shabani.