Kronika e një bankroti – KB Peja I

Superliga 20 Korrik 2018 15:50

Lidhja ndërmjet New York Knicks dhe KB Peja

JR Smith është NBA super yll, shok i mirë me Carmelo Anthonyn dhe së fundmi edhe kampion dhe finalist në NBA.

Gjatë viteve në NBA, JR Smith ishte i famshëm për shutin preciz, po aq sa për incidentet jashtë fushës. Smith kishte shkaktuar vdekjen e një shoku të tij në aksident trafiku, në automjetin që po e drejtonte, kurse bashkë me Carmelo Anthonyn e kishin pësuar edhe një aksident tjetër, nga i cili prapë kishte shpëtuar pa lëndime.

Gjatë viteve të tij në Knicks, Smith theu rekordin e NBA ligës për më së shumti tentime për treshe (22 herë) në një ndeshje, u dënua disa herë për sjellje josportive dhe incidente të dhunshme jashtë fushës, sjellje jo sportive në fushë dhe për faktin që i kishte mundësuar vëllait të tij, Chris Smith, të marrë kontratë afat shkurtër me Kincks dhe të paraqitet në dy ndeshje nga një minutë, duke ia realizuar ëndrrën jetësore.

Sidoqoftë, asnjë prej këtyre fakteve nuk e ndalën Kryesinë e KB Peja që të transferojë Chris Smithin në Pejë dhe ta promovojë si lojtarë që nga Knicks vjen në Pejë dhe paraqitet në Superligën e Kosovës dhe ligën ballkanike BIBL.

Smith, transferi direkt nga liga NBA dhe vëllau i JR Smith, erdhi në Pejë, luajti në ndeshjen e parë me ekipin rumun Craiova dhe për 20 minuta nuk shënoi asnjë pikë nga loja, ndeshjen e përfundoi me një pikë nga gjuajtjet e lira.

Shansi i dytë iu dha kundër të njëjtit ekip rumun në Pejë, por Smith prapë nuk luajti ashtu siç pritej nga ai dhe pas dy ndeshjeve, Peja e liroi lojtarin që e kishte reklamuar si transferin më të madh ndër vite.

Shpresat e Art Gashit, Kryetarit të klubit, për të tërhequr sponsorë të rinj, pas zhurmës në media dhe rrjete sociale për përforcimin nga NBA, u shuan shpejt dhe ekipi mezi e shpëtoi sezonin pas dy humbjeve nga Craiova.

Rruga për në listën e zezë

Chris Smith, përveç mijëra dollarëve shpenzime për të ardhur deri në Pejë dhe mijëra të tjerëve dëme të shkaktuara nga humbjet dhe loja e dobët, këtij klubi mund ti kushtojë edhe mbi 25,000 $ tjera.

Në fakt, Smith është një prej lojtarëve që e ka dërguar në Arbitrazhin e FIBA-s klubin nga Karagaçi dhe e ka fituar lëndën e tij.

Smith po ashtu nuk është i vetmi lojtar që ka fituar lëndë në arbitrazh, por është pa dyshim basketbollisti më së paku cilësor që e ka bërë një gjë të tillë.

Për shkak të vendimeve të shpenzimeve të pamatura, por edhe shumë faktorëve tjerë, Peja sot është në atë që njihet si “lista e zezë” e FIBA-s, gjegjësisht lista e klubeve që e kanë të ndaluar të bëjnë transfere të lojtarëve, me vendim të Tribunalit të Arbitrazhit të Basketbollit (BAT), organit të FIBA-s që merret me kontestet e kësaj natyre.

Peja, në këtë listë ka mbërri meqë deri më tani janë tri raste të humbura në arbitrazh, kurse flitet se ka edhe palë të tjera (lojtarë, trajnerë, agjentë), të cilët mund të dërgojnë në arbitrazh lëndët, gjegjësisht borxhet e pretenduara të KB Peja ndaj tyre.

Insporti, në një seri të shkrimeve ditëve të ardhshme do të paraqesë detaje të transfereve të lojtarëve dhe kontesteve kontraktuale që kanë bërë që klubet kosovare të vihen në listën e zezë të FIBA-s.