Kronika e një bankroti – KB Peja III

Superliga 23 Korrik 2018 12:41

Nga borxhi në borxh

Në dy shkrimet e para të kësaj serie Insporti u mor me dy raste të veçanta dhe me dy lojtarë të profilit diametralisht të kundërt, që kanë qenë pjesë e KB Peja.

Fillimisht me Chris Smith, një basketbollist nën mesatar,  i cili duke iu falënderuar vëllaut të tij JR Smith, luajti disa minuta në NBA dhe Fred House, një prej basketbollistëve më të mirë në Evropë të dekadës së kaluar, i cili në fund të karrierës erdhi në Kosovë.

Këta të dy, po të mos ishte Peja nuk do të kishin asgjë të përbashkët në karrierat e tyre. Mirëpo, të dyve klubi u ka mbetur borxh dhe të dytë i kanë fituar lëndët e tyre në arbitrazh, duke u bërë protagonistë në atë që mund të jetë tregimi për bankrotin e një klubi.

Mirëpo, tregimet për dështimet, lëndët e humbura dhe borxhet e trashëguara të Pejës nuk ndalen me kaq.

Peja, për sezonin 2014/15 u përgatit sikur gjithçka të ishte normale dhe nënshkroi lojtarë të rinj tërë kohën.

Por, ky klub asnjëherë nuk ka kryer obligimet ndaj lojtarit Fred House dhe ndërkohë ka akumuluar edhe borxhe të tjera.

Peja nuk u ndal as kur agjenti Petar Arsic e dërgoi dosjen në klub për dy lojtarë të tij Chris Smith dhe Mario Austin.

Klubi nuk ishte në gjendje të paraqiste prova të mjaftueshme para tribunalit të FIBA-s dhe në fund e humbi lëndën që “peshoi” 67931$, kur llogaritet borxhi ndaj Chris Smith, (rreth 25 mijë $), borxhi ndaj Mario Austin (rreth 15 mijë $) bashkë me borxhin ndaj agjentit Arsic dhe shpenzimet e procedurës arbitrare.

Mario Asutin ka qenë një prej basketbollistëve shumë premtues të gjeneratës së tij. Ai ishte draftuar nga Chicago Bulls më 2003 në rundin e dytë të draftit të ligës NBA.

Duke mos qenë i gatshëm për NBA, agjenti i tij i kishte gjetur kontratë tek CSKA e Moskës, një prej klubeve më të mëdha në Evropë. Kjo kontratë më pas ishte dështuar për shkak të një problemi shëndetësor të lojtarit.

Mirëpo, aty e tutje karriera e tij ishte një rënie e vazhdueshme, meqë ai ndërroi agjentë, u akuzua dhe mezi i shpëtoi proceseve gjyqësore, dhe kah fundi kishte edhe probleme me lëndime.

Në Pejë ishte transferuar pas një pauze të gjatë për shkak të lëndimit dhe pas gati tri vjetëve pa luajtur basketboll profesionist në ndonjë ligë serioze.

Talenti ishte i pamohueshëm, por edhe gjendja e trupit dhe mendjes së tij nuk ishin në nivelin e kërkuar dhe klubi vendosi ta lirojë lojtarin. Megjithatë, Peja edhe në këtë rast nuk iu përmbajt procedurave dhe  për këtë e pësoi në vendimin e BAT-it.

Në fund të sezonit 2016/17, klubi kishte hyrë në borxhe, të thella, ishte në kaos total duke u detyruar ti lirojë të gjithë lojtarët e huaj, trajnerin e huaj dhe të mbahet, ashtu si di e mundet, me lojtarë vendorë.

Një tjetër lojtar që kërkoi paratë që i takonin nëpërmjet arbitrazhit në BAT është Nenad Delic. Në lëndën që agjenti i tij Zvonimir Ridl e ka dërguar dhe e ka fituar në BAT, thuhet se Peja obligohet që të paguajë 6,000$ Nenad Delicit si borxh i mbetur dhe rreth 15 mijë $ tjera në emër të borxhit ndaj agjentit dhe shpenzimeve të procedurës.

Ndalimi i transfereve të lojtarëve ka bërë që Peja këtë sezon të paraqitet në gara vetëm më lojtarët vendorë që i ka pasur në ekip edhe sezonin e kaluar.

Kjo ka bërë që në klub të ulen ambiciet, që ka bërë që në klub të mos ketë sponsorë dhe në mungesë të parave nga sponsorët, nuk janë shlyer borxhet nga vitet e kaluara.

Rrugëdaljet e mundshme

Edhe pse shifrat, për kushte kosovare, duken dramatike, ato janë borxhe të vogla në krahasim me situatën në shumë klube në Evropë. Ata që e përcjellin basketbollin evropian, e dinë që ka raste të borxheve me qindra mijëshe ose milionëshe të shumë ekipeve me renome në Rusi, Turqi, Itali ose Serbi.

Me hyrjen në fuqi të akteve nënligjore për Ligjit për Sponsorim, kjo shumë është shumë lehtë e përballueshme nga një sponsor serioz, i cili tenton të lidhë marrëdhënie afatgjate me Pejën ose cilindo klub tjetër.

Me sponsorë seriozë, Peja del nga kriza juridike materiale dhe i zgjidhë problemet e natyrës juridike. Për daljen nga kriza sportive dhe zgjidhja e problemeve menaxheriale, duhet ndryshim i njerëzve, qasjes, mentalitetit dhe strategjisë, gjëra këto për të cilat duhet kohë.

MIrëpo, klubi përveç borxheve është duke pasur telashe edhe me afatet e ngushta meqë fillimi i sezonit të ri është afër dhe FBK ka dhënë afat që deri më 10 gusht të përfundojë regjistrimi i klubeve, duke njoftuar po ashut se klubet që kanë borxhe ndaj FIBA-s ose FBK-së nuk mund të marrin pjesë në gara.