Ky trajner do ta udhëheqë Llapin në ndeshjen e ardhshme

Futboll 12 Tetor 2018 16:59

Largimi i Bylybyl Sokolit nga detyra e trajnerit dhe një pjese të kryesisë duket se nuk do të ketë pasoja te skuadra e Llapit, së paku sipas asaj që thotë drejtori sportiv, Tahir Batatina. “Është e vërtetë që janë larguar një pjesë e kryesisë dhe donatorëve, por kjo nuk i ndryshon aspak objektivat e Llapit. Unë tash e pesë vjet kam punuar që Llapi të jetë skuadër e respektuar dhe do të vazhdoj të punoj edhe në të ardhmen. I kam rreth 70 për qind të aksioneve, ndërsa së shpejti do të afrohen edhe donatorë të rinj, me të cilët tashmë i kemi nisur bisedimet”, ka thënë Batatina për Insporti.com.

Ai ka shtuar se skuadra është shumë stabile dhe po funksionon pa asnjë problem. “Nuk ka asnjë arsye për shqetësim, pasi gjithçka po ecën normalisht. Jemi duke punuar për vazhdim të suksesshëm të edicionit, lojtarët janë të qetë, të përkushtuar dhe nuk ka asnjë problem”, ka shtuar Batatina.

Ndërsa, i pyetur se kush do të jetë trajneri i ri i Llapit, ai është përgjigjur: “Aktualisht skuadrën po e udhëheq Fadil Ademi, për të cilin kemi shumë respekt. Të gjithë e dinë çfarë futbollisti ka qenë, pastaj është trajner që ka qenë kampion me Hysin. Jemi shumë të kënaqur me punën e tij, por sigurisht që gjatë ditëve në vijim do ta emërojmë një trajner që përshtatet me filozofinë dhe synimet e Llapit. Gjithsesi, në ndeshjen e radhës, skuadrën do ta udhëheqë Fadil Ademi”, ka treguar Batatina.

Pas javës së nëntë të IPKO SUperligës së Kosovës në futboll, Lapi renditet në pozitën e tretë me 16 pikë, 7 më pak se lideri, Feronikeli./Insporti/