Lomachenko me KO – pamjet dhe raporti i plotë

Boks 13 Maj 2018 08:14

Vasyl Lomachenko mbrëmë shënoi fitore në meçin për titull bot ne versionin WBA në peshën e lehtë. Boksieri ukrainas u bë njeriu që më së shpejti në histori fiton tituj botëror në tri kategori të ndryshme të peshave (nga 58 – 62kg).

Meçi i zhvilluar në Madison Square Graden, arenën ikonike të boksit dhe të basketbollit në Nju Jokr ishte ngjarja e vitit në boksin profesionist të kategorive të lehta dhe plotësisht e arsyetoi këtë epitet.

Lomachenko po hynte në luftën e tij të 12-të si profesionist dhe kërkonte titullin e tretë në karrierë, që është e padëgjuar më herët, por atij i është mundësuar në saje të bilancit të shkëlqyeshëm në gati 400 meçe boks amator.

Në anën tjetër kundërshtari i tij, Jorge Linares është një veteran i boksit me 44 fitore në 47 meçe dhe po kërkonte të mbrojë titullin që e mban tash e sa vite.

Linares në fakt e rrëzoi Loimachenkon në rundin e gjashtë, pas 15 minutave shumë interesante në pesë ruandet e para, përgjatë së cilave boksierët mirë testuan njëri tjetrin në çdo aspekt.

Mirëpo, Lomachenko jo vetëm që u këndell nga ky nokdaun, por dëshmoi pse është talenti më i madh dhe boksieri më interesant i kategorive të lehta.

Ai vazhdimisht lansonte goditje precize në trupin e kundërshtarit, derisa nuk e dërrmoi mirë atë dhe në rundin e 10-të një kombinim i goditjeve në kokë dhe një grusht i rëndë në mëlqi, mjaftuan që boksieri nga Venezeula të rrëzohet dhe të mos ngritet nga dyshemeja.

Lomachenko tashmë është kampion në WBA, në kategorinë e lehtë, këto kategori në boks tashmë kanë një sundues të ri dhe para tij ka opsione të shumta për vazhdim të suksesshëm të karrierës në boksin profesionist.