Mediat boshnjake: Federata e Bosnje Hercegovinës nuk ka qëndrim pozitiv për vizat e kosovarëve, reagon Elvira Dushku

Kombëtarja 09 Gusht 2018 19:32

Federata e Basketbollit të Bosnje Hercegovinës, nuk ka qëndrim pozitiv për pjesëmarrjen e Kosovës në Kampionatin Evropian U16, Divizioni B, raporton Insporti nga ba.n1info.

Përfaqësuesit e Republikës Serbe në këtë federatë kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e Kosovës.

Federata i kanë dërguar kërkesat për vizë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bosnjës një ditë para fillimit të kampionatit derisa Ministria pohon se e ka të pamundur që t’i lëshojë vizat për afat kaq të shkurtër.

Kampionatin Evropian U16, fillon nesër kur edhe pritet ë bëhet hapja solemne e evropianit. Kosova është paraparë të takohet pikërisht me Bosnje e Hercegovinën.

Insporti e ka kontaktuar sekretaren e përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku e cila ka reaguar lidhur me këtë çështje.

“E kemi lexuar komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës dhe kjo kryekëput është një ikje e përgjegjësisë nga ana e tyre.

Ne kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Federatën e Basketbollit të Bosnje e Hercegovinës dhe atë që nga 8 maji kur unë kam kërkuar bashkëpunim nga Federata në lidhje me procedurat për pajisje të vizave të Përfaqësueses sonë, duke e pasur parasysh çështjen komplekse të këtyre vizave.

Ne nuk mund ta dimë se çfarë po ndodh brenda kësaj Federate, vetëm e dimë se nga ana jonë është dërguar i gjithë dokumentacioni me kohë, dhe atë dokumentacioni shtesë i kërkuar nga Federata është dërguar para dy jave. Pas kësaj unë vazhdimisht i kam shkruar Federatës, i kam telefonuar dhe ata më kanë thënë se janë në pritje të përgjigjes nga Ministria e Punëve të Jashtme për të na dhënë dritën e gjelbër për të aplikuar për viza në Shkup. Por pavarësisht insistimit tonë çdo ditë tek Federata, ne më pas e njoftuam edhe FIBA-n dhe pas ndërhyrjes së FIBA-s na u tha se mund të shkojmë të aplikojmë për viza në Shkup, gjë që e kemi bërë të martën”, ka deklaruar Elvira Dushkru.

“Prej të martës Konsuli i Ambasadës në Shkup më ka thënë se vizat janë gati, por se pritet pëlqimi nga Ministria e Punëve të Jashtme. Tash e tre ditë stafi i FBK-së ka qëndruar në Shkup para Ambasadës me nga 10 orë në ditë, por viza nuk ka, pavarësisht faktit se në Ambasadë ju kanë thënë vazhdimisht se po e presin thirrjen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës.

Pra ne mendojmë se kjo është një lojë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës, dhe e tëra është politikë. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me sport, janë të vendosur për të mos na lejuar të marrim pjesë në Kampionat, dhe kjo është e tëra”, përfundoi Elvira Dushku. /Insporti.com/