Merditaj po e realizon ëndrrën

Kombëtarja 26 Maj 2018 18:17

Adriana Merditaj është njëra prej lojtareve të reja në Përfaqësuesen e Kosovës në hendboll. Ajo është ftuar nga përzgjedhësi Agron Shabani për ndeshjet me Hungarinë dhe Holandën dhe ka disa ditë që gjendet në Prishtinë. Merditaj bën karrierë në Gjermani dhe në stërvitje ka treguar përkushtim dhe disiplinë të lartë.

Ajo pritet të ndihmojë Kosovën në ndeshjet shumë të vështira me Hungarinë dhe Holandën, që janë superfuqi të hendbollit. Kosova e pret Hungarinë më 30 maj në Ferizaj, ndërsa më 2 qershor luan si mysafire ndaj Holandës. Janë këto ndeshjet e fundit të fazës së dytë kualifikuese për evropian.

“Unë po ndjehem shumë mirë në Kosovë. Bashkëlojtaret më kanë pritur shumë mirë, gjithashtu edhe trajnerët”, ka thënë Adriana Merditaj, që për herë të parë është në një tubim të Përfaqësueses së Kosovës.

“Përzgjedhësi Agron Shabani erdhi të më shikojë në Gjermani gjatë disa ndeshjeve me skuadrën time dhe jam shumë falënderuese që më zgjodhi të jem pjesë e përfaqësueses. Dihet që ëndërr e çdo sportisti është të mbrojë ngjyrat e shtetit të vet”, ka theksuar Merditaj.

Ajo ka lindur në Gjermani, por me prejardhje është nga Gjakova. Është 23-vjeçare dhe luan në pozitën qendër.

“Ne e dimë që Hungaria dhe Holanda janë superfuqi botërore në hendboll, por  do të mundohemi të bëjmë paraqitje sa më të mirë”, premton Adriana. Paraqitjet me Kosovën mund t’i ndihmojnë të bëjë hapa para në karrierë edhe në Gjermani. “Më herët kam luajtur në Bundesliga 2 me skuadrën TSV Haunstetten. Momentalisht jam duke luajtur në ligën e katërt gjermane, për skuadrën TSV Ottobeuren”, ka treguar reprezentuesja e re e Kosovës