Milan kërkon 70 milionë euro për ta lëshuar lojtarin e saj

Futboll 17 Maj 2018 15:04

Skuadra italiane Milan, po planifikon disa ndryshime gjatë afatit kalimtar, ku përpos disa përforcimeve, po planifikon të largojë edhe disa lojtarë.

“Rossoner”-ët ditë më parë bënë të ditur se, të gjithë lojtarët e saj mund të shiten, mirëpo vetëm nëse ka oferta që konsiderohen të denja nga klubi italian.

Ky prononcim erdhi nga drejtori sportiv i Milan, Massimiliano Mirabelli, në lidhje me largimin e portierit Gianluigi Donnarumma, për të cilin tha se Milan do të pranonte ta transferonte atë, vetëm në rast se ka ndonjë ofertë të mirë, por pa cekur shifrën.

Përfundimisht duket se kuqezinjtë e kanë caktuar çmimin për gardianin 19 vjeçar, të cilin e vlerësojnë 70 milionë euro, për të cilin kishte interesimit të madh nga shumë skuadra.

Mirëpo, “Tuttosport” raporton se, trajneri gjerman i Liverpool, Jurgen Klopp, së fundmi është takuar me agjentin Mino Raiola, i cili e përfaqëson portierin Donnarumma, ku kanë diskutuar për mundësinë e transferimit të italianit 19 vjeçar në “Anfield”.

Paraprakisht, u tha se edhe skuadra franceze e Paris Saint-Germain, kishte bërë një tentim për të bindur drejtuesit e Milan që ta lejojnë Donnarumman të kaloj në Paris, mirëpo skuadra italiane si shkëmbim nga PSG, e kishte kërkuar sulmuesin Edinson Cavani. /Insporti.com