Morata është i ngopur me injorimin e Sarrit

Futboll 02 Tetor 2018 10:45

Ndonëse e nisi sezonin si titullar, në ndeshjet e fundit të Chelseat, Alvaro Morata ka përfunduar në stol, pasi nuk ka arritur të bindë trajnerin italian Maurizio Sarri.

Sulmuesi spanjoll është detyruar të ulet në bankinë dhe të shërbejë si rezervë e francezit Olivier Giroud, rol të cilin nuk e dëshiron aspak.

Pikërisht për këtë arsye, u ka kërkuar menaxherëve të tij, që të punojnë për një largim nga Londra që në muajin janar.

Morata u transferua te Chelsea në verën e 2017-ës, pasi londinezët paguan plot 80 milionë euro për kartonin e tij, por duket se tashmë janë gati të heqin dorë edhe për një shifër më të ulët.

Destinacioni i preferuar i Moratas është Italia, ku jo vetëm jeton bashkëshortja e tij, bashkë me dy djemtë binjakë, por edhe ka kaluar periudhën më të mirë të karrierës, kur mbronte ngjyrat e Juventusit.