NBA Playoffs – ku dallohen burrat nga djemtë II

Basketboll 14 Prill 2018 18:58

Egin Hoxha

Nëse në shkrimin e djeshëm u mora më paralajmërimet dhe parashikimet e Konferencës Lindore në NBA, për Konferencën Perëndimore, jo rastësisht duhej një ditë më shumë. Kjo ka qenë një prej sezoneve më të përafërta dhe më të ngushta në histori të ligës dhe renditja e ekipeve në plejof u bë e ditur pasi u zhvilluan të gjitha 82 ndeshjet, kurse deri në ndeshjet e 80-a ekipet nga pozita e tretë deri në të nëntën kishin gjasa teorike të ndërronin vendet ndërmjet vete për shkak se diferenca pas 80 ndeshjeve nuk ishte më e madhe se dy fitore.

Në atë që premton të jetë një plejof i shkëlqyeshëm në Perëndim, disa prej karakteristikave do të veçojë karakteristikat kryesore.

Rockets vs Timberwovles – Shumë të kritikuar pas transferimit  te Chris Paul pasi thuhej se është vetëm një top dhe nuk mund ta kenë edhe Harden edhe CP3 në të njëjtën kohë në duart e tyre, Mike D’Antoni bëri analistët të duken “banalistë” me suksesin që e arriti këtë sezon me Houstonin. Ky ekip, në një periudhë gjatë këtij sezoni pati sulmin statistikisht më të mirë të të gjitha kohëve. Arsyeja kryesore për këtë, patjetër që është James Harden (top 3 lojtarët më të mirë në botë momentalisht), por jo më pak merita ka edhe D’Antoni i cili pa marrë parasysh suksesin që e pati këtë vit prapë do të gjykohet në plejof, pasi sukseset e tij në sezon të rregullt nuk ndodhin për herë të parë (suksese te hatashme kishte edhe me Phoenix Suns në sezonin 2004-2005, por edhe vitin e kaluar me Houstonin, në të dyja rastet ishte zgjedhur trajner i vitit në NBA).

Vlen të përmendet që befasi e këtij sezoni është edhe mbrojtja e tyre shumë më e përmirësuar e që është risi për ekipet që udhëhiqen nga D’Antoni, arsye madhore për këtë është CP3 i cili njihet si njëri ndër fundorët me mbrojtjen më të mirë në histori të ligës.

Për Timberwolves lirisht mund të thuhet “ekip me shumë talent por pa ndonjë identitet”. Dy nga tre lojtarët më të mirë të tyre (Wiggins e Towns), mbrojtjen e kanë pikë shumë të dobët e nëse këtë nuk arrin Thibodeau ta rregullojë (që njihet si specialist i defanzivës) vështirë se ndokush ndonjëherë mund ta bëjë. Vlen të ceket se janë të rinj dhe kanë parametrat fizik për të qenë mbrojtës të shkëlqyeshëm, por këtë sezone kanë qenë të tmerrshëm dhe nuk pritet që kjo të ndryshojë në plejof. Plasmanin në plejof e siguruan në ndeshjen e fundit të sezonit, një sezoni me shumë ngritje e rënie, por fatkeqësisht viti i tyre shpejt do përfundojë përveç nëse ndodh ndonjë mrekulli ose lëndim i madh i njërit prej dyshes Harden/CP3.

Rockets fitojnë 4-0, eventualisht 4-1.

Warriors vs Spurs – Përderisa Golden State ka skeletin e ekipit tw paprekur, vështirë që ka ndonjë bastvënës që guxon të rrezikojë kundër tyre. Me dy top 5 lojtarë, me ekip të komponuar në mënyrë fantastike, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, patjetër që janë pretendent kryesor edhe sivjet për fitimin e titullit. Mirëpo siç e dini, Curry nuk do të jetë i gatshëm për rundin e parë për shkak të lëndimit të gjurit. GSW në ndeshjet ku Curry nuk ka luajtur sivjet ka hasë në vështirësi të mëdha e sidomos në sulm dhe nuk është dukur as afërsisht ai Golden State i frikshëm dhe i pandalshëm që jemi mësuar ta shohim këto vitet e fundit. Edhe pse trajneri Kerr pati deklaruar që “si me Curryn e si pa të ne jemi në gjendje ta mposhtim çdo ekip”, nuk besoj se është i këtij mendimi tash kur i pa vështirësitë që hasë ekipi në mungesë të tij.

Për Spurs, ky wshtë ndoshta sezoni më e pazakontë në historinë e ekipeve të udhëhequra nga Popovich. Trajner i cili përveç gjenialitetit të tij në basketboll, njihet edhe si njeri që gjithmonë i ka mbajtur gjërat nën kontroll dhe larg mediave, me disiplinë dhe punë të jashtëzakonshme. Mirëpo, këtë vit situata i doli nga binarët me super yllin dhe njërin prej lojtarëve me të mirë në ligë Kawhi Leonard (me një histori të lëndimit të muskulit quadriceps, histori të cilës as Adrian Wojnarowski nuk arrin ti bjerë në fije).

Spurs këtë vit nuk arritën të fitojnë 50 ndeshje e që kjo gjë ndodhi për herë të parë që nga sezoni 98-99 (njëra prej arritjeve ndoshta më të nënvlerësuara në histori të sportit dhe mos harroni që sezoni 98/99 ka qenë i shkurtuar për shkak të grevës së lojtarëve, nuk janë zhvilluar të gjitha ndeshjet).

Ekip pa shumë talent në mungesë të Kawhit, me veteranë të harxhuar por që prape disi arrijnë të kenë sukses me motivim që padyshim e marrin nga stafi teknik, pikë kryesore në sulm e ka veteranin dhe allstarin Aldridge. Luajnë mbrojtje shumë të mirë dhe te disiplinuar por nuk është që loja e tyre i përngjan Spursave të viteve të mëhershme kur çdo fans i basketbollit adhuronte çfarë ata ishin në gjendje të bënin në fushë. Nëse dikush mund ta befasojë strategjikisht GSW patjetër që ai është Popovich, por duhet të them që mungesa e Leonardit e bën misionin e tyre pothuajse të pamundur edhe pse mungon Curry në anën tjetër.

Warriors 4-2

Blazers vs Pelicans – Portland lirisht mund të thuhet se ka befasuar sërish këtë sezon me suksesin e arritur. Ekip që udhëhiqet nga 2 fundorë fantastikë dhe me lojtarë rotacionalë që dinë ta bëjnë punën e tyre arriti të përfundojë në vendin e tretë në perëndimin e egër. Jusuf Nurkic pati sezon jo konsistent, mirëpo, pati edhe momente shkëlqimi gjatë këtij sezoni të cilat nëse arrin ti riprodhojë në plejof, Portlandi do të jetë sfidues për ekipet kundërshtare. Terry Stotts është trajner fantastik dhe gjithmonë arrin që ta nxjerrë maksimumin nga lojtarët që ka. Portland është një nga ekipet që vrapon më së shumti në ligë e këtë më së miri e dëshmon statistika që tregon se 4 vitet e fundit gjithmonë është një lojtar nga Portlandi i cili është në krye të ligës për lojtarët që vrapojnë më së shumti gjatë një sezoni ne ligë. (McCollum, Lillard ose edhe Batum sa ka qenë pjesë e këtij ekipi, që tregon për konsistencën e trajnerit Stotts në këtë aspekt).

Pelicans  janë ekip që për çdo gjë e ka në fokus superyllin Anthony Davis. Ekip që në mungesë të tij do të ishte me siguri ndër pesë ekipet më të dobëta në ligë. Pasi DeMarcus Cousins u lëndua, shumë njerëz menduan se edhe sezoni për Pelicans mori fund, por kështu nuk mendoi edhe Davis. Pikërisht pas lëndimit të Cousins ai e ngriti lojën e tij në një nivel të paparë dhe po të jepej MVP vetëm për pjesën e dytë të sezonit padyshim se Davis do e fitonte.

Mungesa e Cousins ndoshta nuk e ndihmoi ekipin në aspektin e kualitetit të lojës që e prodhojnë, por pa dyshim e ndihmoi Davisin, i cili tani kishte lirinë dhe hapësirën për ta shfaqur tërë potencialin e tij. Duhet cekur se edhe Jrue Holiday i cili ka qenë një herë all star si pjesë e Philadelphias, sivjet pati sezonin e tij më të mirë në karrierë dhe është arsyeja numër 2 për suksesin e ekipit. Sezonin e kanë përfunduar duke prodhuar basketboll fantastik.

Absolutisht seria më e vështirë për tu parashikuar. Me siguri do të shkoj në 7 ndeshje. Blazers 4-3 për shkak të avantazhit të fushës vendëse.

Thunder vs Jazz – Askush nuk e mendoi që Utah do të arrinte në plejof pasi humbën Gordon Hayward si lojtar të lirë. Askush nuk e diti atë kohë që Utah kishe zgjedhur një superyll të ardhshëm në draft në Donovan Mitchell. Ekip shumë e disiplinuar në mbrojtje me potencialisht lojtarin defanziv më të mirë në ligë edhe për këtë vit – Rudy Gobert, arriti që boshllëkun që la në sulm Hayward ta zëvendësojë me rookien fantastik Mitchell dhe kësisoj me lojë të disiplinuar e kimi shumë të mirë në mbrojtje, si dhe me sulm të ngadalshëm, por mjaftueshëm efikas, arritën këtë sukses të jashtëzakonshëm për ta këtë vit. Padyshim që merita të mëdha ka njëri nga kandidatët për trajner të vitit Quin Snyder (dhe ndihmësi i tij Igor Kokoskov).

Oklahoma është ekip që bëri bujë të madhe pas transferimit të George dhe Anthony nuk është se tregoi gjëra të mëdha në fushë gjatë sezonit të rregullt. Duhet cekur se bilanci i tyre kundër ekipeve të forta është mjaft mbresëlënës por jokonsistenca e tyre ka qenë tepër e shprehur për gjatë vitit.

Carmelo Anthony ishte katastrofal këtë sezon dhe me siguri është transaksion për të cilin është penduar thellë Sam Presti (i cili njihet si GM që i kalkulon mirë gjërat) por dëshira e tij të bëjë diçka të madhe pas humbjes se Durantit e nxiti të bëjë veprime ndoshta të ngutshme që mund ta cenojnë të ardhmen e ekipit.

Duke marrë parasysh cilësinë e trajnerëve që gjenden në perëndim, Billy Donovan nuk futet në mesin e më të mirëve, dhe banka rezervë shumë e limituar e Thunder e bënë të vështirë që ky ekip të favorizohet të bëjë gjëra të mëdha në këtë plejof. Padyshim që humbja e Roberson, i cili është mbrojtësi më i mirë i perimetrit ne ligë dhe që gjithmonë ka për detyrë ta ruaj lojtarin kundërshtar më të mirë, nuk ndihmon.

Edhe kjo seri shumë e vështirë për tu parashikuar. Oklahoma ka yjet, Utah ka disciplinën. Shumë do të varet nëse Gobert do të jetë pengesë e mjaftueshme për Westbrook në trapez. Edhe këtu favorizoj Oklahomen vetëm për shkak të avantazhit të fushës dhe natyrës garuesetë lojtarit më të mirë në këtë seri Russell Westbrook.