Ndërron jetë Bedri Paci

Kombëtarja 26 Prill 2018 14:27

Të mërkurën ka ndërruar jetë Bedri Paci, ish-fizioterapeut i Përfaqësueses së Kosovës në hendboll. Paci është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare. Varrimi i të ndjerit është bërë të enjten në varrezat e Fushë Kosovës. Bedri Paci ishte fizioterapeut i Përfaqësueses A të Kosovës në hendboll (meshkujt) gjatë kampionatit të IHF-së për vendet me hendboll në zhvillim që u mbajt në Prishtinë në vitin 2015 e në të cilin Kosova u rendit e treta.

Por, Paci ishte kohë të gjatë pjesë e hendbollit kosovar, në cilësinë e fizioterapeutit. Ishte i afërt dhe gjithnjë në shërbim të sportistëve. Kontributi i tij në Përfaqësuesen A, por edhe në skuadrat ku ka shërbyer, vlerësohet i madh. Federata e Hendbollit të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Paci.