Ndërron jetë gjatë ndeshjes basketbollisti 17 vjeçar

Basketboll 28 Maj 2018 14:14

Viteve të fundit është shtuar numri i sportistëve të cilët gjatë zhvillimit të ndeshjeve, janë duke pësuar sulme të ndryshme, me ç’rast një pjesë e tyre edhe ka ndërruar jetë.

Derisa kjo gjë ishte më e shpeshtë në futboll, së fundmi një rast i tillë tragjik ka ndodhur edhe në sportin e basketbollit, e për më shumë bëhet fjalë për një basketbollist të ri, vetëm 17 vjeç.

James Hampton, ishte pjesë e skuadrës së Team United, që po zhvillonte ndeshjen kundër Nike Phamily, në kuadër të “Nike Elite Youth Basketball League” (Nike EYBL), dhe derisa pjesa e dytë e takimit po zhvillohej gjatë vikendit në Virginia të SHBA-së, 17 vjeçari papritmas u rrëzua në parket dhe humbi ndjenjat.

Bëhet e ditur se Hampton edhe vitin e kaluar, kishte pësuar një sulm të ngjashëm, por kësaj radhe ai ishte fatal për basketbollistin 17 vjeçar.

Trajneri i skuadrës Team United, shpjegoi se në momentin kur James Hampton ishte rrëzuar, për shkak të rastin nga e kaluara, kishte menduar se është përsëri një sulm, mirëpo pas i kishin kontrolluar pulsin bashkë me gjyqtarin e ndeshjes, kishin kuptuar se Hampton ishte pa shenja jete.

“Është shumë vështirë ta përjetosh një moment të tillë, kur një djalosh aq i ri, me plotë jetë dhe energji, shuhet nga jeta në këtë mënyrë”, tha trajneri i skuadrës, Jacoby Davis.

Për këtë rast reagoi me një postim në Twitter edhe ish-basketbollisti i Chicago Bulls, Scottie Pippen, ku shkroi: “Një ditë shumë emocionuese kjo në Nike EYBL, pas humbjes së James Hampton. Ngushëllime familjes, shokëve dhe bashkëlojtarëve të James”/Insporti.com