Në Gjakovë ndeshen kryesueset

Superliga 20 Prill 2018 18:15

Shqiponja e pret Vushtrrinë në kryendeshjen e xhiros së 17-të të Superligës A të Kosovës për hendbolliste. Kjo ndeshje, që është me shumë peshë në garën për titull, luhet të shtunën prej orës 16:00 në palestrën në Gjakovë. Vushtrria është e para në tabelë me 28 pikë nga 16 ndeshje, derisa Shqiponja i ka 26 pikë në vendin e dytë. Ndeshja tjetër e Superligës A mes Istogut e Prishtinës zhvillohet të dielën prej orës 13:00. Kjo ndeshje zhvillohet po ashtu në Gjakovë. Istogu është i treti me 23 pikë kurse Prishtina e katërta me 19 pikë.

Në konkurrencën e meshkujve, java është hapur me ndeshjen e sotme ndërmjet Zhegrës e Dritës. Java e 26-të vazhdon të shtunën kur luhet derbi mes skuadrës pejane Besa FamGas dhe Kastriotit të Ferizajt. Kampioni aktual, Besa është lider me 48 pikë, derisa Kastrioti është i treti me 30 pikë. Ndërkohë të dielën takohen Vëllaznimi e Prishtina.