Në Pousko bie perdja e disiplinës malore

FASK 14 Shtator 2018 17:19

Këtë fundjavë në Pousko të Prizrenit mbahet gara e gjashtë, e fundit, e disiplinës malore në kuadër të Kampionatit të Kosovës në automobilizëm.

Derisa në disa prej klasave tashmë dihen kampionët, në disa të tjera kloj dilemë do të zgjidhet pikërisht në garën e fundit, një arsye më tepër për të pritur rivalitet dhe interesim edhe më të madh.

Si zakonisht, paraqitja në garë bëhet të shtunën prej orës 08:00-09:00, ndërsa pas procedurave të zakonshme në orën 12:20-13:00 bëhet prova e parë zyrtare, ndërsa 30 minuta pas përfundimit të saj fillon vozitja e dytë.

Të dielën, prej orës 10:00, bëhet renditja e veturave në shteg, sipas rezultateve të arritura të shtunën, ndërsa gara zyrtarisht pritet të fillojë në orën 12:00.  Njëjtë sikur të shtunën, vozita e dytë fillon 30 minuta pas përfundimit të së parës.

Federata e Auto Sportit e Kosovës në bashkëpunim me Auto Klubin Prizreni D&G i ka marrë të gjitha masat që gara të ketë rrjedhën më të mirë të mundshme, ndërsa për çdo eventualitet aty do të asistojnë edhe Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve.

Shtegu në Pousko është i gjatë 2.8 kilometra, lartësia mbidetare në start është 482 metra, caku 760, ndërsa diferenca në mes startit e cakut është 278 metra lartësi.