Neymar i tmerruar

Futboll 16 Maj 2018 17:34

Neymar po bën çmos për të qenë në ngjarjen më të madhe sportive në botë, Botërorin e Rusisë, por pavarësisht përpjekjeve ka pranuar sesa shumë e ndien presionin dhe se ndihet i frikësuar. “Askush nuk është më i frikësuar sesa unë. E di që njerëzit janë në ankth dhe mezi presin rikthimin tim në fushat e lojës, por askush nuk është më shumë në ankth sesa unë. E them me bindje se askush nuk ka më shumë frikë sesa unë”, ka rrëfyer sulmuesi i “Seleçao”-s, i cili nuk luan që prej muajit shkurt, për televizionin brazilian “Globo”.

Futbollisti 26-vjeçar i PSG-së u dëmtua në këmbën e djathtë më 25 shkurt, gjatë një ndeshjeje të kampionatit kundër Marseilles. Ai u operua në fillim të marsit në Brazil, e prej atëherë nisi periudhën e gjatë të rikuperimit, për të qenë i gatshëm për Botërorin.

“Ky është një moment tejet i vështirë, ndoshta më i vështiri që kam përjetuar ndonjëherë. Kjo, sepse jemi shumë pranë ëndrrës sime për Botërorin”, shpjegon Neymar. “O Ney” rifilloi stërvitjen me Parisin të dielën e kaluar, e me shumë gjasë do të mund të kthehet të luajë më 3 qershor, ditën kundër Brazili do të zhvillojë një miqësore kundër Kroacisë.

“Falë Zotit kam një tjetër mundësi për t’u shpallur kampion i botës me Kombëtaren time. Është një ëndërr e imja që në vogëli, e tashmë është kthyer edhe në objektivin parësor. Shpresoj që të jetë Botërori im”, rrëfehet Neymar.