Një final-four për dy ligat shqiptare

Opinione 19 Mars 2018 17:11

Arben Berisha

FSHF dhe FFK, pikërisht duke marrë shembuj praktikë e të realizueshëm nga UEFA, duhet të pajtohen që të nisin në një afat jo shumë të largët garën e përvjetshme, sido që ta quajnë, “Kupa shqiptare” apo “Kupa mbarëkombëtare” ose me çfarëdo emërtimi tjetër, me një sistem atraktiv e me një plan konkret dhe shumë përfitues madje.

 

Ideja e krijimit të një lige të përbashkët të futbollit Shqipëri-Kosovë, ose edhe të garave të Kupës, është diskutuar jo rrallëherë, por më tepër se sa një ide serioze, ajo thjeshtë është përdorur sa për t’i shuar zërat që dolën herë pas herë e që kërkonin afrimin e futbollit shqiptar.

Proponentët e idesë duket se bënë jo pak presion edhe te dy presidentët e Federatave, Duka e Vokrri, duke i “detyruar” ata që të deklaronin se janë gjithnjë dhe çdo herë në kërkim të një zgjidhje të mirë. Pra Duka dhe Vokrri u pajtuan se diçka e përbashkët duhet të ekzistojë, por se ajo ende mbetet e padefinuar, duke qenë se varet nga shumë rrethana.

Një kohë të dy Federatat, edhe në kohën kur ajo e Kosovës s’ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s, ishin dakorduar që ta zhvillonin të ashtuquajturën “kupë mbarëkombëtare”, ku luanin kampioni i Kosovës me kampionin e Shqipërisë (si dhe nga një skuadër shqiptare nga Maqedonia dhe një nga Mali i Zi).

Fatkeqësisht këto ndeshje zhvilloheshin, por pothuajse askush nuk e dinte që ato po luheshin. S’kishte bujë mediatike, sepse s’kishte promovim të kësaj kupe. E promovim s’kishte mbase për faktin që të dy Federatat ishin pajtuar për zhvillimin e këtyre takimeve thjeshtë sa për t’i shuar zërat që mungonte bashkëpunimi. Mëkat! Kjo kupë me shumë pak mund ka mundur të modifikohej për nga sistemi i garave, të promovohej medialisht dhe të tërheq vëmendjen e publikut.

 

Por si mund të funksionojë ajo, ose si mund të rikthehet, në çfarë formati e modaliteti?!

 

Për të qenë realë, kushdo që është rreth futbollit, e di shumë mirë se krijimi i një lige të përbashkët nuk paraqet as edhe një problem të vetëm ligjor e statutar në raport me Konfederatën amë – UEFA-n. Shembujt më të mirë të kësaj janë Anglia me Uellsin dhe Zvicra me Lihtenshtajnin. Prandaj nëse dy Federatat shqiptare duan, mund ta krijojnë një ligë (ndërkohë që garat e Kupës do të mbeteshin nën diskrecionin e secilës Federatë veç e veç, për ta arsyetuar ekzistencën e tyre).

Por në termat praktikë krijimi i kësaj lige është i pamundur, për arsye që edhe më parë janë artikuluar. Jo të gjitha klubet e futbollit të Shqipërisë dhe të Kosovës kanë buxhet e financa që do të mund t’i mbulonin shpenzimet e kësaj lige, sepse implikimet financiare do të ishin më shumë se dyfish nga ato që i kanë klubet aktualisht, vetëm sa i përket zhvillimit të ndeshjeve.

Me vite të tëra në Kosovë klubet e rangut elitar kanë hasur në probleme të jashtëzakonshme financiare, madje edhe në sezonin pasues pasi ishin shpallë kampionë. Madje disa prej tyre janë shuar, e të tjera kanë prekur fundin. Kujtojmë klubet si Besiana e Hysi, ish-kampionë të Kosovës. Fati i tyre i keq ishte edhe fati i keq i futbollit të Kosovës.

Dikush mund të thotë se këto klube patën probleme kur Kosova ende nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s dhe se mungonte financimi nga sponsorët, por shihni Hajvalinë e sotme. Një klub që pak vite më parë luftonte për titull të kampionit dhe për dalje në garat evropiane e tash po funksionin pothuajse në baza vullnetare, me lojtarë që nuk paguhen, por thjeshtë mund të luajnë aty nëse duan të marrin përvojën e të qenit pjesë e ligës.

E shumë e shumë raste të tjera ku klubet janë tërhequr vazhdimisht nga garat e Kupës së Kosovës, për arsye banale – mosarritjes së përmbushjes së obligimeve minimale financiare, siç është udhëtimi nga një qytet në një qytet tjetër. E si do të mund të udhëtonin po këto klube me qindra kilometra më larg për të arritur në një qytet të jugut të Shqipërisë, në Vlorë për shembull, për të luajtur me Flamurtarin?! Si do të udhëtonin dhe sa tifozë të skuadrës vizitore do të udhëtonin bashkë me klubin në baza javore? Pak, fare pak e ndoshta asnjë, kur e dimë që edhe në Superligë shikueshmëria është tejet e ulët. E njëjta vlen edhe për klubet e Shqipërisë, të cilat megjithatë mund të jenë pak më mirë në aspektin financiar, por se për shikueshmëri e interesim s’ka asnjë dyshim që pak a shumë janë në situatë të njëjtë.

Pra e shihni, në praktikë kjo është e pamundur edhe po do të donim ne.

Por cila do të mund të ishte zgjidhja, ose pikënisja ose ndërmarrja e një diçkaje të përbashkët, por që është më domethënëse?!

Nuk duhet të shikojmë shumë larg për të parë se sa kreative është Konfederata e UEFA-s, vetëm e vetëm për t’i maksimalizuar të hyrat, duke shpikur gara e gara, e duke ngarkuar kalendarin në maksimum, siç do të jetë rasti edhe me kompeticionin e ri që nis këtë vit, Ligën e Kombeve.

FSHF dhe FFK, pikërisht duke marrë shembuj praktikë e të realizueshëm nga UEFA, duhet të pajtohen që të nisin në një afat jo shumë të largët garën e përvjetshme, sido që ta quajnë, “Kupa shqiptare” apo “Kupa mbarëkombëtare” ose me çfarëdo emërtimi tjetër, me një sistem atraktiv e me një plan konkret dhe shumë përfitues madje.

 

Pse nuk pajtohen FSHF dhe FFK për nisjen e një “final-fouri” shqiptar?

 

Aty ku dy ekipet e para të Superligës së Shqipërisë dhe të Superligës së Kosovës do të ishin pjesëmarrëse të këtij “final-fouri”. Kampioni e nënkampioni i dy shteteve, ose kampioni dhe fituesi i Kupës, sido që ta definojnë dhe sido që t’i bëjnë modalitetet Federatat, do të merrnin pjesë në këtë “final-four”, që do të zhvillohej në një hark kohor prej 2-3 ditësh.

Ajo duhet të jetë garë lëvizëse, ku do të caktohej çdo vjet një qytet organizator i këtij “final-fouri”, me një promovim në mënyrën më të mirë të mundshme nga Federatat. A s’do të përfitonte edhe ai qytet financiarisht? A s’do të ishte rast i shkëlqyeshëm edhe për promovimin e vlerave të atij qyteti? A s’do ta shtynte edhe Komunën e atij qyteti që të investonte në promovim dhe të bëhej gati që të jetë organizatore sa më e mirë?

Sigurisht se po, me garancë, që të gjithë do të ishin edhe përfitues, përveçse promovues dhe inkluzivë të futbollit mbarë-shqiptar.

Tjetër pyetje logjike do të ishte: kur do të mund të luanin këto klube, kur e kanë mjaft të ngjeshur orarin e garave në kampionatet respektive?!

Pse të mos shfrytëzohej pauza verore, edhe si pjesë e fazës së përgatitjes së klubeve për sezonin e ri? Kështu do të zëvendësoheshin miqësoret e shumta që aranzhohen në atë periudhë dhe do të ktheheshin në ndeshje të karakterit kompetitiv (ashtu siç po i zëvendëson UEFA miqësoret e Kombëtareve me gara të reja).

Natyrisht FSHF dhe FFK do të dakordoheshin në mënyrë të kujdesshme që “final-fouri” të mos zhvillohej në datat kur garat ndërkombëtare si Evropiani, Botërori e para-kualifikimet e klubeve për gara evropiane e kualifikimet e kombëtareve do të ishin në kalendar.

A s’do të bënte “final-fouri” që edhe tifozeritë e katër klubeve të mblidheshin në një qytet për të sjellë atmosferë e festë.

Sigurisht për ta bërë garën më kompetitive, klubet do të josheshin edhe me përfitimet financiare që do t’i përfitonin. Dhe këto përfitime do të ndaheshin nga Federatat falë të hyrave që i gjenerojnë nga sponsorët, nga transmetimet televizive dhe nga promovimi i tyre.

Pra mundësitë janë që të krijohet diçka e bukur, diçka atraktive dhe diçka moderne dhe jo ndeshje të tilla si në të kaluarën kur pothuajse askush nuk e dinte që ato po luheshin, por luheshin sa për sy e faqe.