Nuk mjaftoi dëshira

Kombëtarja 13 Shtator 2018 23:28

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje nga Maqedonia me rezultat 73:76 në ndeshjen e vlefshme për parakualifikimet e Kampionatit Evropian të vitit 2021.

Përfaqësuesja jonë nuk e nisi mirë ndeshjen, por pas minutave të parë deri diku u konsolidua dhe çereku i parë përfundoi me shifrat 16:20.

Dhjetëminutëshi i dytë ishte edhe më i barabartë dhe kjo pjesëlojë u mbyll me rezultat 13:14, për të shkuar në pushim me epërsinë e maqedonasve 34:29.

Në çerekun e tretë Kosova ishte skuadër më e mirë dhe e mbylli me 20:14, duke paralajmëruar përfundim “të nxehtë”, që në fakt edhe ndodhi.

Kur kishin mbetur vetëm 7 sekonda para fundit dhe rezultati ishte 74:71 për mysafirët, Dardan Berisha e pati të drejtën e tri gjuajtjeve të lira, prej të cilave shënoi dy herë.

Në fund, Vojdan Stojanovski shënoi edhe dy herë nga gjuajtjet e lira dhe i siguroi fitoren kombëtares maqedonase.

Dardan Berisha me 32 pikë ishte më efikasi te Kosova, Erjon Kastrati i shënoi 15, Scott bamforth 12 e Lis Shoshi 10.

Ndërsa, në radhët e Maqedonisë, ish-basketbollisti i Prishtinës, Bojan Trajkovski ishte më i dalluari me 17 pikë, dy më tepër se Damjan Stojanovski.