Rahoveci futë në krizë kampionin

Superliga 30 Shtator 2018 22:03

Rahoveci ishte nikoqir i Bashkimit në ndeshjen që për nga basketbolli i treguar, ishte ndoshta më cilësorja në startin e këtij sezoni

Dhjetë minuta te parë përfunduan me rezultat 18:18, kurse ekipi vendës, që ndeshjet e veta po vazhdon ti zhvillojë në Gjakovë, meqë palestra në Rahovec nuk është gati të përfundohet, e nisi çerekun e dytë me seri 8:2, duke krijuar epërsi prej 6 pikëve në minutë ne 12-të.

Mirëpo, Bashkimi u kthye në lojë dhe nuk lejoi që kundërshtari të shkëputet, duke e ditur se starti me dy humbje do të komplikonte shumë punët brenda ekipit.

Mirëpo, në pjesën e dytë të ndeshjes Rahoveci ishte ekip më i mirë dhe pas 30 minutave lojë krijoi epërsi prej 10 pikëve 66:56, kurse në çerekun e katërt fillimi ishte shumë i çuditshëm.

Presioni në lojë ndikoi keq tek lojtarët dhe për 4 minuta lojë në këtë periudhë rezultati ishte 2:2, raporton Insporti, duke u bazuar në të dhënat nga ndeshja derbi.

Rezultati u thellua në 4 minuta te fundit të ndeshjes, kur Rahoveci bëri seri 11:1, nga minuta e 36-të deri në fund dhe nuk la hapësirë për dilema rreth fituesit ose për finish dramatik.
Takimi përfundoi 81:63, kurse Deshon Minnis ishte basketbollisti më i mirë i ekipit fitues me 18 pikë, për 27 minuta në parket.

Qendra e kombëtares së Kosovës Ergin Grosha me 20 pikë për për 26 minuta (7/8 nga loja dhe 6/6 nga gjuajtjet e lira) ishte basketbollisti me statistikat më të mira tek Bashkimi.

Në takimet tjera të xhiros, Z Mobile Prishtina ka mundur Lipjanin 84:64, Golden Eagle Ylli ka qenë më i mirë se Trepça, kurse Ponte Prizreni ishte më i mirë se Borea.