Rrëfehet njeriu që i dha hijeshi futbollit të Kosovës e që u largua nga sporti me kërkesë të Ramiz Lladrovcit

Futboll 10 Gusht 2018 17:52

Klubi i Feronikelit nga Drenasi pak vite më parë ka garuar në Ligën e Parë të Kosovës në futboll ndërkohë që edhe në kohën sa ka qenë pjesë e rangut elitë, nuk ka arritur rezultate të lakmueshme, përcjell Insporti.

Njeriu që ia dha të mbarën këtij ekipi, ishte Ekrem Elshani, i cili arriti që ta bëjë një skuadër pretendente derisa për dy vite më radhe, drenicasit iu gëzuan titullit kampion në futbollin e Kosovës dhe një herë e fituan Kupën e Kosovës.

Elshani u largua nga klubi në dhjetor të vitit të kaluar me kërkesë të kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili kërkoi publikisht largimin e tij.

Klubi tashmë menaxhohet nga biznesmeni Naser Rama.

Insporti e ka realizuar një intervistë me Elshanin i cili menaxhon shumë biznese në Kosovë. “Futbollin e Kosovës e përcjelli sikurse çdo herë tjetër, sikurse në kohën kur kam qenë pjesë e Feronikelit. Normalisht në kohën sa kam qenë i angazhuar, kisha më shumë stres dhe më shumë emocione. Unë vazhdojë që ta përcjell klubin tim të zemrës pasi që kam bërë shumë që Feronikeli të ngritet në këtë nivel. E rëndësishme është që klubet kosovare po ngiten dita-ditës dhe shpresojmë shumë që në edicionin e ardhshëm të marrim pjesë me tre skuadra në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Ekrem Elshani.

Tutje, Elshani e ka vlerësuar edhe gjendjen në futbollin e Kosovës. “Duke qenë se kam drejtuar për shumë vite një klub të suksesshëm, i di shumë mirë vështirësitë e klubeve të Superligës. Mund të them se gjendja e futbollit të Kosovës po shkon duke u përmirësuar dhe në përgjithësi, mund të them se dalja në Evropë do t’i ndihmojë klubet në aspektin financiar. Shumë klube dorëzohen herët në kampionat dhe po i humb vlera kampionatit, por shpresojmë që të përmirësohet gjendja me përkrahjen e Federatës dhe të Komunave”, vlerëson Ekrem Elshani.

Në pyetjen se a ia vlen që të investohet në futbollin e Kosovës, Elshani deklaroi: “Pasi që e kemi ngritur Feronikelin në nivele të larta, e kemi shpallur ekipin dy herë kampion të Kosovës, e kemi fituar Kupën e Kosovës dhe shumë trofe të tjerë, unë mendoj se një ditë do të na shpaguhet ky investim”.

Elshani nuk e përjashton mundësinë që të rikthehet në futbollin e Kosovës. “Nuk e përjashtoi asnjëherë mundësinë që të rikthehem, por momentalisht jam i angazhuar me familje dhe biznes. Futbollin e dua dhe do të jem në çfarëdo forme afër, ashtu siç unë e shikojë të arsyeshme”, përfundoi Ekrem Elshani. /Insporti.com/