Saraçini: “Kosova dëshmoi krenarinë e saj në Beograd”

Hendboll 24 Mars 2018 22:11

Kthehet në Kosovë delegacioni i Federatës së Hendbollit të Kosovës Delegacioni i Federatës së Hendbollit të Kosovës, është kthyer nga Beogradi ku është anuluar turneu kualifikues i kampionatit botërore U-20 në Hendboll për femra, ku është paraparë të marrin pjesë Kosova, Serbia, Norvegjia dhe Sllovakia.

Pas kthimit Federata e hendbollit e Kosovës mbajti edhe një konferencë për media. Kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini ka treguar përjetimin e ekipit të Kosovës. Ai potencoi se ishte një presion jashtëzakonisht i madh për vet faktin se në hotelin ku ishin të vendosur kishte më shumë policë se sa sportistë.

“Ishte një rrugë e gjatë prej Beogradit deri këtu. Vajzat kanë përjetuar lodhje psiqike për shkak të ngjarjeve atje. Por, vet Kosova përfitoi një përvojë të re, dëshmoi krenarinë e saj dhe që është e gatshme për të konkurruar. Ky turne u anulua me vendime politike, por manipulimet politike nuk përkojnë me synimet tona”, tha Saraçini.

Fanellat me mbishkrimin Kosova të cilat i kanë pasur veshur vajzat kosovare, siç ka deklaruar Saraçini kanë bërë historinë e këtij turneu në mes të Serbisë.

“Këto fanella që i kanë pasur veshur këto vajza me mbishkrimin Kosova ishte ajo që e bën njëfarëlloj historie të këtij turneu në mes të Serbisë, në Beograd. Kjo është një kënaqësi ekstra e jona dhe e të gjithëve që ishin atje. Shpresoj që në të ardhmen Kosova s’do të luajë pa simbole pa marrë parasysh situatave që krijohen”, ka thënë Saraçini.

Siç dihet Qeveria e Serbisë kishte vendosur dje që të mos e lejojë kombëtaren e saj U-20 të femrave në hendboll që të zhvilloi ndeshje me Kosovën dhe kjo Serbisë i kushtoi me humbje të asaj ndeshjeje, kurse me pas Federata Evropiane e Hendbollit kishe vendosur që ta përjashtojë tërësisht Serbinë nga kualifikimet për botërorin e grupmoshës U-20.

Po ashtu Federata Evropiane e Hendbollit vendosi që të anuloi edhe pjesën e mbetur te turneut. Dhe për datat zhvillimit të ndeshjeve të ardhshme do të vendoset pikërisht nga Federata Evropiane e Hendbollit, por ajo qe dihet është se në grupin 5 në kualifikime do te vazhdojnë Kosova, Sllovakia dhe Norvegjia.