Sarri zhgënjen tifozët e Chelseas

Futboll 14 Shtator 2018 17:46

Maurizio Sarri vlerëson se Chelsea mbetet një hap larg sfiduesve për Ligën Premiere pavarësisht bilancit prej 100 për qind në javët e para të sezonit 2018-19.

Sarri arriti në “Stamford Bridge” në muajin korrik dhe ka filluar mirë duke fituar të  katër ndeshjet e tyre të ligës përpara pushimit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.

Vetëm Liverpooli dhe Watfordi kanë arritur start të njëjtë mbresëlënës sikurse të Chelsea, ndërsa kampioni Manchester City ka dy pikë më pak.

Por, Sarri nuk e sheh skuadrën e tij të luftojë për titull, pasi mendon se Liverpooli dhe City do të jenë dy ekipet që konkurrojnë për trofe.

“Për momentin, unë mund ta shoh vetëm Cityn ose Liverpoolin duke luftuar për titul”, ka thënë fillimisht Sarri në një konferencë për media.

“Ne kemi nevojë për një hap tjetër për të qenë në të njëjtin nivel. Mendoj që është shumë shpejt, prandaj nuk shpresoj tani. Është shumë e vështirë të riparosh 30 pikë në një sezon, shumë e vështirë”, ka thënë italiani.

“Ne duhet të përmirësohemi. Ndjej se nuk jemi një skuadër shumë e fortë në fazën mbrojtëse. Duhet të përmirësohemi dhe mundemi, ndjenjat e mia gjatë trajnimit janë se kjo skuadër mund të përmirësohet”, përfundoi Sarri.