Serena Williams tërhiqet nga turneu i Montrealit

Tenis 07 Gusht 2018 20:29

Vetëm pak orë para duelit me Alize Cornet, tenistja amerikane Serena Williams ka deklaruar se nuk do të luajë në turneun Masters të Montreal, që me 7 gusht në Kanada.

Ish-numri 1 në botë do të merrte pjesë në këtë turne falë një ftese (wildcard) nga ana e organizatorëve, por në momentin e fundit u tërhoq. Kjo duhej të ishte sfida e dytë e Serenës në fushat me çement, 3 javë pas finales së humbur në grand slam të Wimbledon (javën e kaluar u mund 2-0 që në raundin e parë në turneun e San Jose).

Serena Williams u shpreh vetëm se është tërhequr për arsye personale, pa bërë me dije se për çfarë bëhet fjalë konkretisht, ndërkohë që synon të jetë pas 10 ditësh në turneun tjetër Masters, atë të Sinsinatit. Ky turne do të jetë përgatitor në prag të US Open.

Jemi të zhgënjyer që ndodhi kjo gjë, që nuk e kemi Serenën mes nesh. Megjithatë, ku mbetet një turne i nivelit të lartë, pasi të gjitha tenistet e “top-10” janë të pranishme dhe kjo do të thotë se do të kemi ndeshje të bukura”, thanë organizatorët.