Shala tregon nëse i mbeti merak ndeshja me Serbinë

Kombëtarja 23 Mars 2018 20:53

Kosova e ka fituar me rezultat zyrtar 10:00 ndeshjen ndaj Serbisë, e vlefshme për turneun kualifikues në Kampionatin Evropian në hendboll për femra U20. Megjithatë, trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Faruk Shala, ka thënë për Insportin se dëshira e tij, por edhe e hendbollisteve ishte që të zhvillohej ndeshja.

“Dëshira jonë ishte të luajmë, sepse tërë potencialin e kishim përqendruar për këtë ndeshje. E them me sinqeritetin më të madh se të gjithë ne do të dëshironim të zhvillohet ndeshja”, ka thënë Shala për Insporti.com. ai ka shtuar se, hendbollistet nuk e kanë pritur mirë vendimin që ndeshja të regjistrohet me rezultat zyrtar. “Për ne është e rëndësishme fitorja, por edhe hendbollistet ishin të përgatitura në të gjitha aspektet që vlerën tonë ta paraqesim në fushën e lojës”, ka shtuar Shala.

Ai ka njoftuar se disa nga hendbollistet qysh sonte do të ndahen nga skuadra, pasi do të bashkohen me Përfaqësuesen A, e cila do të udhëtojë në Bjellorusi për të zhvilluar ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian.