Sipas tifozëve të Marseille, ky gjest i Payet ka shkaktuar humbjen (Foto)

Futboll 17 Maj 2018 14:29

Finalja e mbrëmshme e Europa League në mes Olympique Marseille dhe Atletico Madrid në “Stade de Lyon” të Francës, nuk shkoi mirë për skuadrën franceze, e posaçërisht edhe për Dimitri Payet, i cili u zëvendësua pas gjysmë ore lojë.

Payet pësoi një lëndim, gjë që e detyroi ta largohej nga fusha, madje francezi e mori aq rëndë këtë zëvendësim, saqë u pa me lot në sy teksa drejtohej për në bankinë.

Mirëpo, tifozët e Marseille, pas përfundimit të ndeshjes nuk kanë kursyer kritikat në drejtim të Payet, jo për shkak të lëndimit të tij, por për një gjest që bëri mesfushori francez duke u futur në fushë.

Dmitri Payet derisa ishte duke u futur në fushë me skuadrën për ndeshjen finale, preku trofeun e Europa League, i cili ishte i ekspozuar me të dal nga tuneli, veprim ky që nuk u ka shpëtuar personave supersticioz.

Ekziston një teori që nëse prek trofeun para se ta fitosh, atëherë dështimi është i sigurt. Kjo gjë i ndodhi skuadrës së Milan në finalen e vitit 2005 të Champions League kundër Liverpool, me futbollistin Gennaro Gattuso, që preku trofeun e Champions në fundin e pjesës së parë, kur rezultati ishte 3-0 në favor të Milan.

Më pas të gjithë e dinë se ç’ndodhi në pjesën e dytë, me Liverpool që arriti ta barazonte rezultatin, me ç’rast pas ekzekutimit të penalltive, anglezët u shpallën kampion për herë të pestë në këtë garë.

Po ashtu edhe tifozët e Bayern Munchen, e kujtojnë ende gjestin e ukrainasit Anatoliy Tymoshchuk, i cili duke hyrë në fushë para finales së humbur përballë Chelsea-t në vitin 2012, kishte prekur trofeun e Champions League. /Insporti.com