Sonte luhet finalja e dytë – LeBroni ose Golden Statei

Basketboll 03 Qershor 2018 23:29

Ndeshja e parë e serisë finale të ligës NBA do të mbahet në mend për dy gjera dhe asnjëra nuk kanë të bëjnë me ekipin fitues.

Fillimisht LeBron James shënoi 51 pikë, 8 kërcime dhe 8 asistime, duke dhënë një prej shfaqejeve më të mira individuale në histori të basketbollit, por kjo nuk mjaftoi për fitore.

Ndeshja do të mbahet në mend edhe për ekskursionin mendor dhe fushor që e zhvilloi JR Smith në sekondat e fundit dhe mënyrën si Clevelandi e humbi ndeshjen në fund.

Sidoqoftë, sonte në ora 02:00 fillon ndeshja e dytë e kësaj serie dhe të dyja ekipet do të duhet të përqendrohen në 48 minuta te basketbollit para tyre.

Edhe ndeshja e dytë zhvillohet në Oracle Arena në Oakland dhe Golden Statei e ka epërsinë e terrenit vendës.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë po thuajse asgjë për dy arsye – fillimisht pse në takimin e parë u dëshmua që fituesi do të përcaktohet në fund të ndeshjes ose në kohë shtesë dhe pastaj për shkak se ky është sezoni i katërt me radhë që këto dy ekipe luajnë në finale dhe dy herë ka fituar kampioni i Perëndimit dhe një herë kampioni i Lindjes.

Nëse ka faktor që mund të bëjë diferencën në fund të serisë, ajo mund të jetë lodhja. Clevelandi ka zhvilluar dy seri me nga shtatë ndeshje dhe po hyn në serinë finale si ekip nën presion.

Për Golden Statein problem paraqet lëndimi i Klay Thompson dhe fakti që deri më tani nuk kanë dhënë raport të plotë se sa serioze është gjendja dhe a do të mund të luajë në kapacitet të plotë.

Nëse Klay Thompson nuk është në element për shkak të lëndimit dhe meqë dihet se Andre Iguodala mungon po ashtu i lënduar, atëherë do të duhet një shfaqje magjike nga Kevin Durant në të dyja fazat e lojës për të kompensuar këto mungesa.

Tek Clevelandi lajmi i mirë është se edhe Kevin Love edhe Tristan Thompson kanë të drjetë loje dhe nuk janë të suspenduar, për shkak të veprimeve në ndeshjet paraprake dhe LeBron James mund të llogarisë në përbërjen me të cilën edhe ka hyrë në plejof.