A do të pensionohet Edo? (FOTO)

Superliga 25 Maj 2018 17:33

Në shtator do t’i mbushë 38 vjet, por Edmond Azemi ende është në gjendje të përballet me basketbollistë shumë më të rinj dhe këtë e dëshmoi edhe në kampionatin e sivjetmë, sidomos në pjesën e fundit të tij, gjatë së cilës ishte lojtari kryesor i Sigal Prishtinës.

Ka mbetur i vetmi nga garda e vjetër e bardhekaltërve dhe nga viti në vit pritet që ai të marrë vendimin për t’u larguar nga basketbolli aktiv.  Kështu është menduar se do të ndodhë edhe pas përfundimit të këtij edicioni, por… Edo nuk e ka ndërmend të plaket dhe as të largohet nga basketbolli.

“Nuk e kam menduar tërheqjen nga basketbolli dhe nuk e kam asnjë arsye të marr këtë vendim. Jam shumë mirë në aspektin fizik, nuk kam pasur lëndime serioze, bëj jetë sportisti dhe të gjitha këto ma mundësojnë të vazhdoj edhe më tutje”, ka thënë Azemi për Insporti.com.

Ai nuk i ka vënë vetes një afat të caktuar deri kur do të vazhdojë të luajë. “Nuk kam ndonjë kohë të caktuar. Do të luaj për aq sa më lejojnë mundësitë fizike. Tash për tash jam shumë mirë dhe nuk kam arsye të largohem”, ka shtuar Edo, i cili ka një karrierë të bujshme për tash e 21 vjet./Insporti.com/