Tregimi im për Islandën

Futboll 22 Qershor 2018 13:02

Bajram Shala

Nje gol i anuluar për pozicion jashtë loje (të pa qenë) dhe mungesa e një kartoni të kuq për një goditje me bërryl ndaj Milot Rashices ishin dy vendime që shkaktuan shumë nervozë te unë dhe gjithë ekipi ynë në natën e ftoftë të 9 tetorit të vitit 2017-të, në Rejkjavijk.

Më pas Islanda “shpiku” 2 gola për të na mposhtur. Për ne ishte edhe një humbje krejt e zakonshme (sepse ishte e 9-ta në 10 ndeshje), por, për vëndasit ishte fitorja më e rëndësishme e historisë, sepse vendit skandinav i dha diçka të paimagjinueshme deri së voni, kualifikimin në Kampionatin Botëror.

Festa në Rejkjavijk atë natë ishte e pabesueshme. Ata që duken shumë te fohtë e të egër në pamje të parë, ishin të cmendur dhe shumë të dashur kur festonin.

Nata u duk si pambarim. Edhe pse kishim humbur, ne sikur pamë një shembull motivues në ta, një shembull sesi një shtetë me 330 mijë banore përfundon në vendin e parë në grup, madje kundër Turqisë 80 e Ukrainës 40 milionëshe si dhe superfuqisë së futbollit botërorë, Kroacisë.

Rrethë katër muaj me vonë, në shkurt të këtij viti,  kur kisha harruar që Islanda ekziston të paktën në aspektin futbollistik, në një prej work-shopeve të UEFA-s, njëra prej temave ishte “Futbolli Islandez, strategjia e zhvillmit. Vend i vogël me zemër të madhe”. Pavarësisht se kishim shkuar krejt për dicka tjetër, kjo pikë e rendit të ditës  mori primatin në mendjen time dhe mezi e prisja.

Kur erdhi koha e prezantimit të saj ne skenë u ngjitën një zotëri i rryer në futboll rreth 70 vjec dhe një djalosh entuziastë rreth 25 vjec, që thjeshtë më magjepsën me historinë e zhvillimit të futbollit të tyre.

Mbi të gjitha dëshmuan në praktikë se futbolli është më shumë se një lojë dhe sukseset e atij niveli asnjëherë nuk janë të rastësishme.

Strategjia e krijimit të një ekipi që perfaqëson një shtetë shumë të vogël dhe jo aq të pasur  kualifikohet në Kampionat Botërorë, konsistonte në katër pika, që  kishin tre emërues të përbashkët: punën, pasionin dhe disiplinën.

Në atë prezantim mësova se Islanda kishte vendosur në fillim të viteve 2000 që futbollin nga një rekreacion ta shndërronte në industri shumë serioze që mbi të gjitha shtetit do t’ i sillte përfitime të mëdha financiare por mbi të gjitha krenari kombëtare.

Por, cila ishte pika e parë e këtij projekti?! Parakushti kryesor domosdoshmërisht ishte infrastruktura, sidomos për një shtetë që ka klimë të egër dhe pothuajse të pamundshme për zhvillim të futbollit gjatë tërë vitit.

Islanda kishte paraparë që për 6 vite të ndërtoj katër fusha/stadiume të mbuluara që do t’ u mundësonin të punojnë gjatë tërë 12 muajve të vitit.

Për 3 vite u ndërtuan 7 sosh, në saje të menaxhimit të duhur të shtetit, fondeve të UEFA-s dhe kontributit të komunitetit.

Sido që të jetë stadiumet dhe fushat nuk shënojnë gola e as nuk mbrohën vet, prandaj ato duhet të mbusheshin me fëmijë. Të binden islandezët se futbolli mund të jetë sport  dhe krenari kombëtare, ishte punë shumë e vështirë, sidomos në fillim të viteve 2000.

Megjithatë, qeveria në bashkëpunim me autoritetet lokale gjetën një mënyrë. Komunat, përkatësisht autoritetet lokale do të mbulonin 50 % të shpenzimeve vjetore për stërvitjet dhe paisjet për secilin fëmijë që do të antarësohej në një prej klubeve apo akademive të futbollit.

Përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e pasionit janë dy prej parakushteve, por do të ishin të kota nëse me këta fëmijë nuk do të kishte kush të punoj. Prandaj projekti për shkollimin e trajnerëve ishte projekti i tretë, që në fakt u zhvillua paralelisht me rritjën e numrit të fëmijve të interesuar për t’ u përfshirë në këtë sport.

Mirëpo, tërë ato stërvitje dhe investime duhej të dëshmoheshin diku. Të dëshmoheshin në ndeshje të vërteta, duhej që ekipet e të rinjëve të kishin edhe këtë mundësi.

Nëse për secilin shtet tjetër evropian është shumë më e lehtë të organizoj ndeshje miqësore të paktën me vendet fqinje, për islandezët kjo punë paraqet sfidë tjetër në vete. Gjeografikisht Islanda ka pozitën më të pafavorshme në Evropë, pa askë afër, atyre u duhej të bënin rrugë të gjatë edhe me fëmijë për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare.

Përtej lodhjes e organizimit problem për këto udhëtime ishin financat. Por islandezët atëkohë e gjetën një mundësi tjetër. Punën vullnetare të komunitetit. Shitjet e gjësëndeve në sheshet kryesore të qytetit ishin mënyra më e mirë mbledhjës së fondeve për udhëtimet e ekipeve lokale dhe kësisoji mozaiku u kompletua.

Fëmijët duhej të mendonin vetëm për futboll, për gjithcka tjetër mendonin njerëzit kompetent në shtet.

Në këtë formë, pothuajse afër një dekadë më vonë, Islanda e kuptoi se tashmë kishte ardhur koha të shpërblehej tërë ai përkushtim, tërë ajo punë dhe sakrificë. Kualifikimet për Euro 2016-të, befasuan botën, por jo edhe Islandezët.

Vikingët e largët u kualifikuan madje duke shkelqyer e më pas në Francë dëshmuan se arritja deri në Euro jo që nuk ishte befasi, por ishte vetëm fillimi i një tregimi të jashtëzakonshëm suksesi, të ndërtuar me pasion e punë dhe mbase rrugëtimi i tyre real mund të jetë një skenar ideal për t’ u shndërruar në film nga regjisroi dhe portieri Hallfredson që përvec shumë heroizmave mund të krenohet edhe me faktin se ka pritur penalltitë e Messisë dhe Ronaldos.

Pas Euro 2016 dhe arritjes në cerekfinale, pothuajse të gjithë menduan se OK, ky është fundi i një befasie të tillë, por islandezët kishin në plan dicka tjetër.

Në një grup me superfuqi të futbollist botërorë, si Kroacia, Turqia, e Ukraina si dhe autsajderët Finlandën e Kosovën, ata dolën sërish të parët dhe u kualifikuan në botërorë.

Në Rusi ata dëshmuan sërish dashurinë për ngjyrat e kombit dhe për ekipin që i përfaqëson. Pothuajse gjysma e islandezëve janë këtë muaj në Rusi, sigurisht se pas atij barazimi me Argjentinën festa e tyre do të ketë qenë edhe më e madhe sesa atë natë të ftohtë të 9 tetorit në Rejkjavijk.