U rrëzua në ‘Wembley”, ja çfarë thotë Mourinho (VIDEO)

Futboll 14 Shtator 2018 21:56

Jose Mourinho deklaroi se rrëzimi i tij në “Wembley” ishte i qëllimshëm, në mënyrë që t’u jepte medieve material për të shkruar e diskutuar gjatë pushimit të kampionatit, i detyruar nga angazhimet e përfaqësueseve.

Video me Mourinhon që rrëzohet në dysheme, teksa tenton të kapërcejë me sportivitet e akrobaci shiritat e vendosur si barriera në “Wembley”, përpara ndeshjes mes Anglisë dhe Spanjës e përfunduar me fitoren e spanjollëve, 2-1, zhvilluar të shtunën e kaluar, është shndërruar në hit nëpër media dhe rrjetet sociale.

Pavarësisht sikletit të momentit dhe turpërimit, trajneri i Manchester Unitedit preferoi ta trajtojë rrëzimin e tij si me dashje për një qëllim të qartë. Gjatë konferencës së tij për mediet, në prag të ndeshjes ndaj Watford, Mourinho deklaroi:

“Janë njerëzit që më marrin në telefon dhe më kërkojnë që të rrëzohem në ‘Wembely’, sepse u duhen lajme nga unë. Unë e bëra me qëllim, në mënyrë që ju, media, të mund të flisnit pak për mua”. I pyetur nëse ishte vrarë e dëmtuar, Mou tha: “Jo, ishte një zhytje e mirë dhe mbrojta celularët e mi. Nuk ishte penallti, mbase një karton i verdhë”.