Wilderit i ofrohen 8 milionë dollarë për t’u ndeshur me Whyte

Boks 31 Korrik 2018 12:33

Boksieri Dillian Whyte, që ditë më parë fitoi duelin e peshave të rënda ndaj Joseph Parker, mund të përballet në fund të këtij viti me kampionin e botës së kategorisë WBC, amerikanin Deontay Wilder.

Lajmin e ka konfirmuar menaxheri dhe promotori Eddie Hearn, që u shpreh se është gati t’i ofrojë 8 milionë dollarë boksierit amerikan për t’u përballur me Whyte.

“Nëse Wilder nuk ka dëshirë të përballet me Joshua, atëherë le të duelojë me Dillian White”, u shpreh Hearn.

“Ne do t’i bëjmë atij një ofertë të kënaqshme, 7 ose 8 milionë dollarë, për të mbrojtur titullin kampion ndaj Whyte në fund të këtij viti. Ai nuk mund të refuzojë përgjithnjë boksierët më të mirë të peshës së rëndë”, deklaroi Eddie Hearn.

Pak kohë më parë, Wilder iu ofruar 5 milionë dollarë për të dueluar ndaj Whyte, por ai e refuzoi këtë shifër, ndërsa tani oferta ka shkuar në 8 milionë.

Duket se Hearn po përdor këtë taktikë për të afruar në prill duelin e madh të peshës së rëndë mes Wilder dhe Joshua.