Ylli siguron plej mejkerin dhe trajnerin për sezonin e ri

Superliga 08 Gusht 2018 21:57

Klubi i Basketbollit Ylli është përforcuar dukshëm para fillimit të sezonit të ri të Superligës së Kosovës në basketboll, duke konfirmuar trajnerin, plej mejkerin e ri dhe duke paralajmëruar ardhje të basketbollistëve amerikanë.

Nga banka, Yllit sezonin e ardhshëm, që nga fillimi do ti prijë Aben Krasniqi, ish selektori i Kosovës dhe trajneri më i trofeshëm i Kosovës në basketboll, dikur edhe lojtar i këtij ekipi për një kohë të shkurtër.

Krasniqi punoi edhe sezonin e kaluar në Yll dhe duket se kryesia e ka bindur për vazhdim edhe për një sezon.

Në pozitën e plej mejkerit në këtë ekip do të angazhohet reprezentuesi i Kosovës Leonard Mekaj, një prej lojtarëve më të mirë të Kosovës në këtë pozitë viteve të fundit.

Mekaj e konfirmoi lajmin për Insportin dhe pohoi se është shumë i kënaqur që vazhdon me Yllin edhe për një sezon duke thënë se “është kënaqësi sërish të jem bashkë me Arben Krasniqin dhe bashkëlojtarët e mi. Kryesia na ka ofruar kushte shumë të mira, mbi atë që ofrojnë klubet tjera dhe pres që këtë sezon, nëse përforcimet vijnë me kohë dhe komponohemi mirë, të jemi edhe më ambiciozë sesa sezoneve tjera.
Fakti që ka stabilitet financiar dhe trajner cilësor janë parakushte për të pasur një sezon të suksesshëm meqë lojtarët janë të qetë dhe mund të koncentrohen në punën e tyre”, pohoi Mekaj për Insporti.

Plej mejkeri i mëhershëm i Prishtinës dhe Pejës pohoi se është vështirë të parashikohet sezoni, por Ylli sivjet është duke punuar me shumë seriozitet dhe kriza që ka kapluar ekipet tjera, mund ta nxjerrin ekipin nga Suhareka si favorit, duke mos harruar edhe publikun e atjeshëm, që është ndër më fanatikët në vend.